Haziri del nga mbledhja e LDK-së: Po diskutohet ftesa e Kurtit dhe rezultati zgjedhor

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka lënë përkohësisht mbledhjen e Kryesisë së LDK-së.

Para mediave, ai dha informacione lidhur me diskutimet që po zhvillohen në këtë mbledhje.

Nënkryetari i LDK-së tha se partia po diskuton çështjet thelbësore, duke analizuar rezultatin e fundit zgjedhor, por edhe ftesën e Kurtit.

Sipas tij, nuk ka arsye që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme teksa theksoi se pas përmbylljes së mbledhjes, Abdixhiku apo dikush nga LDK do të prononcohen për media për të dhënë sqarimet e nevojshme.

“LDK-ja po diskuton në debat të brendshëm dy çështje thelbësore duke analizuar rezultatin e fundit zgjedhor. Kryesia ka nxjerr nevojën që të diskutojë kërkesat që lidhen me interesimin për bashkëpunim. Nuk ka vend nuk ka hapësirë dhe nuk ka asnjë arsye me mendu opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vjeshtën e ardhshme, por ftesa e sotme konfirmon se Abdixhiku në emër të LDK-së dhe si përfaqësues i saj me ekipin e tij e ka trajtuar letrën, është duke diskutu brenda strukturave dhe në fund ai ose dikush do të dalë dhe do t’i japë sqarimet e domosdoshme”, tha ai.

Haziri tha se po shkon për të dhënë nderimet e fundit ndaj Nuhi Rexhepit, ish-dekanit të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.


Go to TOP