Kuçi: Serbia intensifikon fushatën kundër Kosovës, por po përballet me bllokim në rrugën drejt BE-së
Analisti Gurakuç Kuçi vlerëson se përpjekjet e Serbisë për të mbajtur aktive fushatën e mosnjohjeve ndaj Kosovës po shoqërohen me pasoja politike për vetë Beogradin në procesin e integrimit evropian.
Sipas Kuçit, dreka e organizuar nga kryeministri serb me përfaqësues të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën nuk ishte një veprim thjesht protokollar, por pjesë e strategjisë së Serbisë për ta përdorur mosnjohjen si instrument diplomatik kundër shtetësisë së Kosovës.
Ai thekson se, ndërkohë që Serbia synon të pengojë afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, po përballet me bllokim në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duke argumentuar se moshapja e kapitujve të rinj të negociatave tregon mungesën e gatishmërisë së disa shteteve anëtare për ta shpërblyer Beogradin vetëm me retorikë.
Kuçi e cilëson këtë si kontradiktën kryesore të politikës serbe duke thënë se Serbia kërkon përfitime nga BE-ja, por njëkohësisht vazhdon politikat që bien ndesh me orientimin evropian, përfshirë bllokimin diplomatik të Kosovës dhe përdorimin e çështjes së saj për qëllime të politikës së brendshme.
Sipas tij, ajo që Beogradi e paraqet si sukses diplomatik kundër Kosovës rrezikon të shndërrohet në një barrë politike për vetë Serbinë, ndërsa qytetarët serbë duhet të kuptojnë se politika aktuale nuk po e afron vendin me Bashkimin Evropian, por po e mban të izoluar politikisht. /Kosova.info/
