Kurti: Janë miratuar 206.4 milionë euro nga fondet e BE-së për Kosovën
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian ka njoftuar se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro dhe se janë miratuar edhe 3 grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (ËBIF), në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.
Ai ka thënë se pas këtyre miratimeve Kosova do të përfitojë gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e BE-së.
“Dje, me 7 korrik, Bashkimi Evropian na njoftoi zyrtarisht se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro. Pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe më pas nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi, projektet do të fillojnë zbatimin”, ka shkruar Kurti në Fecebook.
Ai ka thënë se me këto fonde do të mbështeten fushat prioritare të vendit.
“Mjedisi dhe klima – 44 milionë euro; Energjia – 34.5 milionë euro; Menaxhimi i kufijve dhe migrimi – 30.5 milionë euro; Konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi – 31.8 milionë euro; Qeverisja e mirë dhe përafrimi me BE – 24.7 milionë euro; Sundimi i ligjit – 15 milionë euro”, ka shkruar ai.
Sipas Kurtit, rreth gjysma e fondeve do të shkojnë për investime infrastrukturore. “Shumica e projekteve do të realizohen në kombinim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet tona”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se përveç projekteve të IPA 2026 e IPA 2027, janë miratuar edhe 3 grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.
“Hidrosistemi Ibër-Lepenc – asistencë teknike për përgatitjen e investimit infrastrukturor; Autostrada Qafë e Duhlës–Banullë – asistencë teknike për përgatitjen e segmentit të autostradës; Impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë – grant investues prej 24.3 milionë euro, në bashkëpunim me BERZH”, ka shkruar Kurti.
