Konstituivi i Institucioneve, mes detyrimit kushtetues dhe përgjegjësisë politike

Shkruan: Artan NIMANI

Me certifikimin e rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, procesi zgjedhor ka hyrë në fazën e tij përfundimtare juridike. Megjithatë, nga ky moment nis një proces po aq i rëndësishëm për funksionimin e shtetit: ndërtimi i institucioneve të reja të Republikës. Në këtë fazë, fokusi nuk është më te gara zgjedhore, por te zbatimi i Kushtetutës dhe aftësia e aktorëve politikë për ta shndërruar legjitimitetin elektoral në institucione funksionale.

Nga 9 korriku fillon të rrjedhë afati kushtetues tridhjetëditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ky afat nuk është vendosur vetëm për të përcaktuar një datë kalendarike, por për të garantuar vazhdimësinë institucionale, sigurinë juridike dhe stabilitetin demokratik. Kushtetuta nuk lë hapësirë për vakuum institucional, sepse funksionimi i shtetit nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike apo i interesave të momentit.

Rezultatet e certifikuara dëshmojnë qartë se qytetarët kanë ndërtuar një parlament pluralist, ku asnjë subjekt politik nuk gëzon shumicën e nevojshme për të qeverisur i vetëm. Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 mandate, ndërsa 20 ulëset e garantuara u takojnë komuniteteve joshumicë, sipas përcaktimeve kushtetuese. Ky konfigurim parlamentar nuk është shenjë dobësie e sistemit demokratik; përkundrazi, ai imponon kulturën e dialogut, kompromisit dhe bashkëpunimit ndërmjet forcave politike.

Në demokracitë parlamentare, zgjedhjet nuk përfaqësojnë fundin e procesit demokratik, por fillimin e përgjegjësisë për ndërtimin e institucioneve. Pikërisht për këtë arsye, Kushtetuta ka ndërtuar një mekanizëm të qartë procedural, ku çdo hap ka rëndësinë e vet juridike dhe politike. Detyrimi për thirrjen e seancës konstituive, zhvillimi i mbledhjes përgatitore, verifikimi i mandateve, betimi i deputetëve dhe zgjedhja e Kryesisë së Kuvendit nuk janë formalitete administrative, por elemente që i japin legjitimitet funksionimit të organit më të lartë përfaqësues në vend.

Veçanërisht domethënëse është mënyra se si Kushtetuta e ka konceptuar zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E drejta e propozimit i takon subjektit më të madh parlamentar, por zgjedhja kërkon mbështetjen e shumicës absolute të deputetëve. Kjo nuk është një zgjidhje rastësore. Ajo reflekton filozofinë kushtetuese se institucionet nuk ndërtohen vetëm mbi parimin e fituesit, por mbi nevojën për legjitimitet të gjerë parlamentar. Në një sistem demokratik, shumica nuk nënkupton dominim, por përgjegjësi për të ndërtuar konsensus.

Po aq i rëndësishëm është edhe përfaqësimi i komuniteteve në udhëheqjen e Kuvendit. Pjesëmarrja e komuniteteve joshumicë nuk është vetëm respektim formal i dispozitave kushtetuese, por shprehje e karakterit shumëetnik të Republikës së Kosovës dhe e parimit të përfshirjes në vendimmarrje. Kjo e bën Kuvendin jo vetëm institucion politik, por edhe pasqyrim të pluralizmit shoqëror mbi të cilin është ndërtuar shteti.

Nga pikëpamja kushtetuese, konstituimi i Kuvendit përfaqëson pikën e nisjes për funksionalizimin e institucioneve të tjera. Vetëm pas zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve mund të vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë dhe më vonë me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Këto janë procedura të ndara juridikisht dhe nuk kushtëzojnë domosdoshmërisht njëra-tjetrën. Kjo është edhe fryma e praktikës kushtetuese, e cila synon të shmangë bllokimin institucional dhe të garantojë vazhdimësinë e funksionimit të shtetit.

Megjithatë, përtej dispozitave juridike, sfida kryesore mbetet politike. Asnjë normë kushtetuese nuk mund ta zëvendësojë vullnetin për dialog, kulturën e kompromisit dhe përgjegjësinë ndaj interesit publik. Historia politike e Kosovës ka dëshmuar se krizat institucionale shpesh nuk kanë lindur nga mungesa e rregullave, por nga mungesa e gatishmërisë për t’i respektuar ato në frymën e tyre.

Prandaj, ky është momenti kur pjekuria politike duhet të marrë më në fund përparësi ndaj retorikës partiake. Qytetarët nuk kanë votuar për një krizë të re institucionale, por për institucione që marrin përgjegjësi për qeverisjen e vendit. Nuk do të ishte në interes të askujt që procesi i konstituimit të Kuvendit të shndërrohej në arenë për negociata të pafundme rreth posteve, rivaliteteve personale apo kalkulimeve afatshkurtra politike. Interesi shtetëror duhet të mbizotërojë mbi interesin partiak.

Provokimi i zgjedhjeve të reja vetëm për shkak të mungesës së kompromisit politik do të ishte një mesazh i gabuar për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë. Zgjedhjet janë instrument i demokracisë, por nuk mund të shndërrohen në mekanizëm për t’iu shmangur përgjegjësisë së ndërtimit të institucioneve. Në demokracitë e konsoliduara, aftësia për të arritur marrëveshje pas zgjedhjeve është po aq e rëndësishme sa vetë fitorja në zgjedhje.

Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme, vendimmarrje funksionale dhe stabilitet politik. Çdo ditë e humbur në bllokada institucionale ka kosto për zhvillimin ekonomik, proceset integruese, investimet, reformat dhe besimin e qytetarëve në shtet. Pikërisht për këtë arsye, respektimi i afateve kushtetuese dhe ndërtimi i institucioneve nuk duhet të shihen si fitore e një partie politike, por si fitore e rendit kushtetues dhe e demokracisë.

Në fund, konstituimi i Kuvendit nuk është thjesht një procedurë që shënon fillimin e një legjislature të re. Ai është testi i parë i pjekurisë politike të klasës politike dhe provë e respektit ndaj Kushtetutës. Mënyra se si do të menaxhohet ky proces do të tregojë jo vetëm cilësinë e kulturës sonë demokratike, por edhe aftësinë e institucioneve për ta vendosur interesin e Republikës së Kosovës mbi çdo interes tjetër politik.


Go to TOP