Salih Murat godet Qeverinë: Ndryshimi i ministrave nuk e shpëton anijen që po fundoset

Deputeti turk në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, ka reaguar ashpër ndaj ndryshimeve të paralajmëruara në kabinetin qeveritar, duke deklaruar se zëvendësimi i ministrave nuk do të ndryshojë gjendjen në vend, njofton Kosova.info.

Përmes një postimi publik, Murat vlerësoi se vendi po përballet me krizë politike, ekonomike dhe institucionale, ndërsa paralajmëroi se zhvillimet e fundit vetëm sa do ta thellojnë situatën.

Ai u ndal edhe te pozita e komunitetit turk, duke pretenduar se diskriminimi, përjashtimi dhe padrejtësitë ndaj turqve do të vazhdojnë, ndërsa fajësoi përfaqësuesit politikë turq që janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Sipas Muratit, partnerët turq në Qeveri kanë zgjedhur interesat personale në vend të interesave kombëtare dhe, në vend që të jenë partnerë të barabartë në qeverisje, janë bërë partnerë të VMRO-DPMNE-së pa ndikim real në vendimmarrje.

Ai kritikoi edhe pranimin e posteve që, sipas tij, nuk kanë kompetenca reale, duke thënë se kjo ka dëmtuar interesat e komunitetit turk dhe nuk përfaqëson sukses politik.

Në fund, Murat u bëri thirrje drejtuesve të partive turke në pushtet të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, duke theksuar se ndryshimi i ministrave nuk do ta shpëtojë Qeverinë, të cilën e krahasoi me një “anije që po fundoset”.

Go to TOP