Shkëlqim Xhaferi mohon zërat për bojkot: Degët e LDK-së në Skandinavi mbështesin vendimet e Kolegjiumit

Përfaqësuesi i LDK-së në Finlandë, Shkëlqim Xhaferi, ka hedhur poshtë pretendimet se degët e LDK-së në Skandinavi kanë bojkotuar mbledhjen e fundit të Kolegjiumit të Degëve duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe dezinformuese.

Sipas Xhaferit, degët në Skandinavi kanë qenë të përfaqësuara në takim nga Isuf Bajraktari i Degës së Suedisë Jugore dhe Arben Vranovci i Degës së Norvegjisë.

Ai sqaroi se mungesa e tij nga Finlanda ishte për shkak se nuk ndodhej në Kosovë, ndërsa kryetarja e Degës së Suedisë Veriore, Qibrije Hoxha, ishte në pushime familjare duke theksuar se këto mungesa nuk përbëjnë bojkot apo mungesë mbështetjeje.

Xhaferi theksoi se degët e LDK-së në Skandinavi qëndrojnë të bashkuara dhe mbështesin plotësisht vendimet e Kolegjiumit të Degëve, si dhe vullnetin e shprehur në Kuvendin e 31 janarit 2026.

Në reagimin e tij, ai kritikoi raportimet që, sipas tij, përhapin pretendime të pabazuara duke theksuar se gazetaria serioze duhet të mbështetet në fakte dhe jo në spekulime. /Kosova.info/


Go to TOP