Gashani në Paris: Lojërat Mesdhetare 2030 janë projekti më i madh zhvillimor në historinë e sportit të Kosovës

Ministri në detyrë i Rinisë dhe i Sportit, Blerim Gashani, ka prezantuar në Paris, në kuadër të Konferencës RIGES 2026, vizionin e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 duke i cilësuar ato si projektin më të madh zhvillimor në historinë e sportit të vendit.

Sipas Gashanit, organizimi i këtyre lojërave nuk përfaqëson vetëm një ngjarje sportive, por një mundësi për investime strategjike, ndërtimin e infrastrukturës moderne, fuqizimin e rinisë, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e diplomacisë sportive.

Ai theksoi se Lojërat Mesdhetare 2030 do ta vendosin Kosovën në hartën e organizatorëve të ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare dhe do të dëshmojnë se vendi është i gatshëm të organizojë evente sipas standardeve më të larta.

“Mesazhi ynë është i qartë: Kosova është e hapur për partneritete, ekspertizë, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Suksesi i Lojërave Mesdhetare do të ndërtohet mbi besimin, miqësinë dhe bashkëpunimin me partnerët tanë”, u shpreh Gashani.

Në përfundim, ai vlerësoi se rrugëtimi drejt vitit 2030 ka nisur tashmë duke e cilësuar këtë si fillimin e një epoke të re për sportin kosovar, rininë dhe imazhin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Lojërat Mesdhetare 2030 kanë filluar. Tani është koha të ndërtojmë së bashku trashëgiminë që do t’u mbetet brezave”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP