BBC publikon listën e trajnerëve të ‘mallkuar’ nga penalltitë

Eliminimi i Holandës nga Maroku pas goditjeve të penalltive në Kupën e Botës 2026 e ka futur Ronald Koemanin në një listë shumë të veçantë të publikuar nga “BBC”.

Koeman është bërë një nga emrat e rrallë të futbollit botëror që ka përjetuar eliminimin me penallti si futbollist dhe më pas edhe si trajner.

Në këtë listë bëjnë pjesë disa prej figurave më të njohura të futbollit evropian:

Ronald Koeman – si lojtar u eliminua me Holandën nga Brazili në gjysmëfinalen e Botërorit 1998 pas penalltive, ndërsa si trajner pësoi të njëjtin fat ndaj Marokut në Kupën e Botës 2026.

Fernando Hierro – si lojtar i Spanjës u eliminua nga Anglia në Euro 1996 dhe nga Koreja e Jugut në Botërorin 2002. Më pas, si trajner i Spanjës, u eliminua nga Rusia me penallti në Botërorin 2018.

Jose Antonio Camacho – si futbollist i Spanjës humbi ndaj Belgjikës në Botërorin 1986, ndërsa si trajner u eliminua nga Koreja e Jugut në Botërorin 2002.

Luis Enrique – si lojtar i Spanjës u eliminua nga Koreja e Jugut në Botërorin 2002. Si trajner, ai humbi me penallti ndaj Italisë në Euro 2020 dhe ndaj Marokut në Botërorin 2022.

Roberto Donadoni – si lojtar i Italisë u eliminua nga Argjentina në Botërorin 1990, ndërsa si trajner humbi ndaj Spanjës në Euro 2008.

Gareth Southgate – si futbollist i Anglisë u eliminua nga Gjermania në Euro 1996 dhe nga Argjentina në Botërorin 1998. Si trajner, ai përjetoi një tjetër zhgënjim në finalen e Euro 2020, ku Anglia u mposht nga Italia pas penalltive.

Lista e publikuar nga “BBC” tregon se edhe emrat më të mëdhenj të futbollit nuk kanë mundur t’i shpëtojnë “ruletës së penalltive”, si në karrierën e tyre si lojtarë, ashtu edhe më vonë në rolin e trajnerit.


Go to TOP