Burime: Driton Selmanaj kërkoi dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, një pjesë e Kryesisë së LDK-së në Prizren e kundërshtoi ashpër
Gazetar: Përparim Beqiri, Kosova.info
Burime të Kosova.info bëjnë të ditur se mbledhja e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren është zhvilluar me tensione të mëdha, pasi kryetari i degës, Driton Selmanaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas informacioneve që ka siguruar Kosova.info nga burime brenda partisë, një pjesë e anëtarëve të Kryesisë së degës e kanë kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke i kërkuar Selmanajt që të tërhiqet nga qëndrimi i tij.
Burimet tona thonë se gjatë diskutimeve ka pasur përplasje dhe tensione të konsiderueshme, ndërsa një pjesë e Kryesisë, e cila aktualisht ushtron funksione në pushtetin lokal në koalicion me PDK-në, është shprehur kundër shkarkimit të Abdixhikut.
Ndërkohë, LDK-ja njoftoi zyrtarisht se në mbledhjen e Kryesisë dhe Kolegjiumit, shumica e kryetarëve të degëve kanë mbështetur vazhdimin e mandatit të Lumir Abdixhikut në krye të partisë.
