Dy vjet në pushtet, BDI-ja akuzon VLEN-in për mashtrim e dështim

Qeveria në Maqedoni të Veriut ka mbushur dy vjet, derisa nuk kanë munguar kritikat për partnerin shqiptar në ekzekutiv, VLEN-in.

Ka qenë tashmë partia opozitare, Bashkimi Demokratik për Integrim që ka akuzuar VLEN-in për mashtrim dhe dështim, gjatë këtyre 24 muajve të qeverisjes, së bashku me VMRO-DPMNE.

Nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ka deklaruar se dy vjet pas marrjes së pushtetit, nuk janë realizuar premtimet kryesore të dhëna para qytetarëve, duke përmendur një mori prej tyresh.

“Sot, pas 24 muajsh në pushtet, qytetarët shtrojnë vetëm tri pyetje: Ku janë premtimet? Ku janë rezultatet? Ku është ndryshimi? Përgjigjja është e qartë dhe e shkurtë: askund. Bilanci i tyre nuk është listë suksesesh, por listë premtimesh të përmbajtura. Premtuan Kushtetutë të re. Nuk hapën as debat.”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, ka përmendur edhe disa prej zotimeve tjera, që sipas saj, nuk janë realizuar gjatë këtij dyvjeçari.

“Premtuan ndryshimet kushtetuese për 3 muaj, për 6 muaj! Pas me shume se 24 muajsh nuk ka asgjë! Premtuan barazi të plotë për gjuhën shqipe. Në vend të kësaj, dobësuan mekanizmat që e mbrojnë atë. Premtuan përfaqësim të drejtë. Shfuqizuan Balancuesin dhe sollën një ligj që me asnjë dispozitë të tij nuk garanton përfaqësim adekuat. Premtuan Bankë Shqiptare. Nuk ekziston. Premtuan aksione deri në 10 mijë euro për çdo qytetar. Nuk ekzistojnë”, ka deklaruar ajo.

Kurse, VLEN-i e ka vlerësuar të suksesshme punën në qeverisjen dyvjeçare, derisa janë bërë të ditur edhe ndryshimet që pritet të bëhen në ekzekutiv.

Sipas sekretarit të përgjithshëm, Bekim Sali, VLEN-i do të udhëheq me dy ministri të reja, atë të Drejtësisë dhe Kulturës, por për këto dy dikastere do të lëshojë udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe atë të Politikës Sociale.

“Ministrat aktual mendoj se mirë kanë performuar në Qeveri, jemi të kënaqur si VLEN dhe do të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar ai.

Go to TOP