FSK dhe Ushtria Amerikane realizojnë ushtrim për menaxhim emergjencash

Çështjet Civile/Operacionet Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me ekipin CMSE të Ushtrisë Amerikane dhe Komunën e Drenasit, organizuan Ushtrimin në Tavolinë (TTX) në Drenas, me qëllim testimin e koordinimit institucional dhe reagimit ndaj situatave emergjente.

Në këtë ushtrim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, të cilët zhvilluan një skenar simulues të përballjes me vërshime në territorin e Komunës së Drenasit.

“Gjatë aktivitetit u testuan mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional, proceset e vendimmarrjes, komunikimi dhe menaxhimi i burimeve në raste emergjente. Pjesëtarët e FSK-së prezantuan praktikat më të mira në fushën e menaxhimit të krizave dhe reagimit ndaj emergjencave”, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, theksoi rëndësinë e përgatitjes dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Ushtrimi shërbeu për identifikimin e sfidave, rritjen e gatishmërisë institucionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve për reagim të koordinuar dhe efikas ndaj situatave të krizës.

Go to TOP