Trajneri i Kongos pranon epërsinë e Kolumbisë pas humbjes në Botëror

Përzgjedhësi i Republikës Demokratike të Kongos, Sebastien Desabre, e ka pranuar se Kolumbia ishte skuadra më e mirë në ndeshjen që përfundoi me fitoren 1:0 të amerikanolatinëve në Kupën e Botës 2026.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Guadalajara” në Meksikë ishte e baraspeshuar për pjesën më të madhe të kohës, por Kolumbia arriti të shënojë golin e fitores në minutat e fundit.

Daniel Munoz realizoi golin vendimtar pas një aksioni të ndërtuar nga zëvendësuesi Jhon Cordoba, duke i siguruar Kolumbisë tri pikë të rëndësishme dhe kualifikimin në mesin e dy skuadrave më të mira të Grupit K.

Pas ndeshjes, Desabre e ka vlerësuar paraqitjen e kundërshtarit dhe e ka pranuar se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e duhur.

“Ishte një ndeshje e vështirë për ne. Luajtëm kundër një skuadre shumë të mirë. Ata ishin superiorë”, ka deklaruar trajneri i Kongos.

Ai ka theksuar se Kolumbia dominoi në posedimin e topit, ndërsa skuadra e tij reagoi më mirë vetëm në pjesën e dytë.

“Do të ishte mirë të merrnim një barazim, por duhet ta pranojmë se Kolumbia ishte më e mirë. Ata kanë një lojë shumë të mirë me topin. Ne hymë vonë në ndeshje. Pjesa e dytë ishte më e mirë për ne, por ky është futbolli”, ka thënë Desabre.

Përzgjedhësi kongolez ka shtuar se tashmë fokusi i skuadrës është ndeshja e fundit ndaj Uzbekistanit, ku vetëm fitorja do t’i mbajë gjallë shpresat për kualifikim.

“Një barazim nuk do të mjaftojë. Duhet të rrezikojmë dhe të japim maksimumin. Uzbekistani ka mbrojtës shumë të mirë, por ne do të luftojmë deri në fund”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, trajneri i Kolumbisë, Nestor Lorenzo, ka lavdëruar lojtarët e tij për paraqitjen dhe angazhimin.

“Jam shumë i lumtur me ekipin. Kundër skuadrave si Kongo duhet të gjesh hapësira dhe të jesh i durueshëm. Ne jemi një ekip që gjithmonë kërkon iniciativën dhe nuk heq dorë nga stili i lojës”, ka deklaruar Lorenzo.

Kongo e nisi Botërorin me barazim 1:1 ndaj Portugalisë, falë golit të Yoane Wissa në kohën shtesë. Ai gol ishte i pari në historinë e vendit në Kupat e Botës.

Skuadra afrikane do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të grupit më 27 qershor kundër Uzbekistanit në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta, ku do të kërkojë fitore për të vazhduar aventurën në Botërorin 2026.


Go to TOP