IQMT aksion kundër shitjes së cigareve elektronike te të miturit, inspektime pranë shkollave në gjashtë komuna

Inspektorati Qendror i Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka intensifikuar aksionet inspektuese për parandalimin dhe luftimin e shitjes ilegale të cigareve elektronike te personat e mitur.

Sipas një njoftimi të MINTI-t, gjatë pjesës së parë të muajit qershor 2026 inspektimet janë fokusuar kryesisht te bizneset që operojnë në afërsi të shkollave dhe që merren me shitjen e cigareve elektronike.

Kontrollet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Vushtrrisë, Ferizajt dhe Vitisë, ku inspektorët kanë verifikuar zbatimin e Ligjit Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit, që rregullon shitjen e produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme.

MINTI bëri të ditur se shkeljet e evidentuara gjatë inspektimeve janë në procedurë trajtimi dhe do të ndiqen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Po ashtu, IQMT ka paralajmëruar se aktivitetet inspektuese do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ministria theksoi se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht të të rinjve duke zbatuar ligjin dhe duke parandaluar qasjen e të miturve në produkte që mund të cenojnë mirëqenien e tyre.

Go to TOP