Marrëveshje politike ose qeveri teknike!

Shkruan: Florim ZEQA

Në zgjedhjet e 7 qershorit elektorati kosovar ua bëri të qartë të gjitha partive politike se ose duhet të reformohen, ose në të ardhmen e afërt do të lindë patjetër një alternativë e re politike si domosdoshmëri e kohës, e cila do t’i rrëzojë këto parti politike sikurse “kullat prej letre”.

Mbyllja në heshtje e Albin Kurtit flet më shumë se fjalët

Ngase, çka është bërë mjaft, është bërë mjaft me gënjeshtra dhe mashtrime! Populli ka pritur shumë gjatë, kurse shteti i Kosovës është duke rrëshqitur në stilin e “rënies së lirë”, ku dita-ditës është duke i humbur perspektivat e tij zhvillimore.

Shembull ta marrim projektin e gazit amerikan. Humbja e këtij projekti zhvillimor do të jetë një goditje e rëndë për vendin. Prandaj, çështjet madhore për vendin, siç janë marrëdhëniet ndërkombëtare, në veçanti ato strategjike, nuk duhet të lihen në dorën e individit, por për to duhet të vendoset në Parlamentin e Kosovës dhe askund tjetër, pa marrë parasysh kush është kryeministër apo president nesër.

Që i bie se Parlamenti, me shumicë votash, duhet të vendosë a duam gaz amerikan, rus apo kinez!

Edhe pse procesi i numërimit të votave ka përfunduar dhe gjithçka është e qartë, kryetari i partisë fituese, Albin Kurti, vazhdon të qëndrojë i mbyllur në lëvozhgën e tij, pa treguar gatishmëri për bashkëpunim të sinqertë me kampin opozitar për krijimin e institucioneve të reja, përkatësisht zgjedhjen e Presidentit, e cila paraqet “nyjën gordiane” të qeverisjes së vendit!

Mbyllja në heshtje e Albin Kurtit flet më shumë se fjalët, tregon mosinteresim për bashkëpunim të sinqertë, me tendencën e imponimit të zgjidhjes pa marrëveshje paraprake me opozitën!

Kësaj radhe duhet të kërkojmë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, ngase nuk mund të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme çdo katër muaj për tekat e askujt.

Për këtë arsye, opozita duhet të jetë më aktive, më konstruktive dhe më e bashkuar në veprimet e saj. Duhet të bëhen bashkë dhe të mos kalkulojnë për interesa personale dhe partiake, se kush do të jetë kryeministër apo president, por të bëhen bashkë për interesin e shtetit.

Në të kundërtën, këto lojëra të pista politike do të na përcjellin edhe për një kohë të gjatë.

Prej zgjedhjeve eventuale në “qeveri teknike”

Nuk e thashë rastësisht që opozita duhet të jetë e bashkuar, edhe pse çdo herë kemi individë që, për interesa personale, janë kundër këtij bashkimi.

Mirëpo, kur është në pyetje interesi i shtetit, duhet të bëhemi bashkë që ta shpëtojmë shtetin, për shkak se është duke u rrezikuar seriozisht ekzistenca e shtetit dhe e ardhmja e qytetarëve.

Partitë opozitare e ndihmojnë shtetin vetëm nëse me një ofertë të përbashkët i drejtohen Albin Kurtit. Në të kundërtën, cilado parti që i shkon e vetme në bashkëqeverisje do të digjet ashtu siç u dogj LDK-ja.

Për këtë arsye, opozita e bashkuar duhet t’i ofrohet Albin Kurtit në bashkëqeverisje, si e vetmja mundësi për të evituar zgjedhjet e reja, por edhe si kusht i domosdoshëm për rehabilitim nga humbja e thellë e 7 qershorit.

Zgjedhjet e reja brenda këtij viti, përveç kostos financiare, shtetit do t’i shkaktojnë dëme zinxhirore dhe të pariparueshme.

Në anën tjetër, zgjedhjet eventuale do të shkaktojnë irritim akoma më të madh të elektoratit kosovar, i cili do t’i bojkotojë në mënyrë masive zgjedhjet, ku si rezultat i atij bojkoti, zgjedhjet nuk do të sjellin qeveri të re politike, por do të imponohet zgjedhja e një qeverie krejtësisht teknike të shpëtimit kombëtar, me kryeministër dhe president apartiakë.

Nëse nuk ka marrëveshje politike, do të ketë zgjedhje të cilat nuk do të prodhojnë zgjidhje, por do ta dërgojnë vendin drejt një qeverie teknike!

Kjo është dëshira dhe qëllimi im si apartiak për të evituar këtë cikël të zgjedhjeve të pafundme, e jo për ta favorizuar apo ndëshkuar një subjekt të caktuar politik. Shteti dhe kombi janë mbi të gjitha ideologjitë partiake dhe fetare që janë duke e gërryer pamëshirshëm qenien tonë kombëtare.


Go to TOP