Takimi me neandertalët
Shkruan: Ismet HAJRULLAHU
Një histori e bashkëjetesës, konkurrencës dhe trashëgimisë gjenetike mes Homo sapiens dhe Neandertalëve
Takimi mes Homo sapiens dhe Neandertalëve në Euroazinë Perëndimore, rreth 50,000 deri në 40,000 vjet më parë, është një nga kapitujt më intriguese të historisë njerëzore. Këtu nuk bëhet fjalë për dy specie që e ndajnë të njëjtin territor, por për një përballje të gjatë mes dy mënyrave të jetesës, dy kulturave dhe dy biologjive. Ky kalim nga Paleolitiku i Mesëm në Paleolitikun e Sipërm ka qenë objekt i studimeve të shumta, ku arkeologët, antropologët dhe gjenetistët kanë debatuar mes teorive të një bashkëjetese të gjatë.
Zbulimet e fundit nga shpella Ilsenhohle në Gjermani tregojnë se neandertalët dhe njerëzit modernë ndanë peizazhet evropiane për të paktën 10,000 vjet. Ky fakt e bën të pamundur ta shohim këtë histori si një përplasje, përkundrazi, ishte një proces i ndërlikuar ku zhvendosja, konkurrenca për burime dhe ndërveprimi biologjik u ndërthurën. Ndërthurjet gjenetike mes dy specieve lanë gjurmë, individë me prejardhje evropiane dhe aziatike lindore mbartin një përqindje të vogël të ADN-së së neandertalëve.
Sipas shkencëtarëve si Israel Hershkovitz, Anne Dambricourt-Malasse, Helene Rougier dhe Vanessa Villalba-Mouco, trajtimi i kësaj periudhe është i vështirë për shkak të mungesës së mbetjeve skeletore dhe kushteve jo të përsosura të gërmimeve gjatë shekujve XIX dhe XX. Shpesh, lidhjet mes fosileve njerëzore dhe artefakteve arkeologjike janë kryer tërësisht mbi supozime, të cilat më vonë janë rrëzuar. Kjo qasje e bën të domosdoshme një zë kritik ndaj çdo interpretimi. Për më tepër, kufizimet e datimit me radiokarbon, që arrin deri në 50,000 vjet, e komplikojnë ndërtimin e një kronologjie të saktë. Megjithatë, përparimet e dekadës së fundit në teknikat e datimit kanë sjellë rishikime të rëndësishme duke zhvendosur moshat e mbetjeve të neandertalëve dhe njerëzve modernë me mijëra vjet duke na detyruar që të rishkruajmë historinë njerëzore.
Shpella në Ranis, nën një kështjellë të Rilindjes së shekullit XVI, është një tregues se si historia njerëzore fshihet nën shtresat e kulturës materiale. Analizat e izotopeve të oksigjenit nga dhëmbët e kuajve të gjetur aty tregojnë se njerëzit jetuan në një periudhë tejet të ftohtë klimatike, rreth 45,000–43,000 vjet më parë. Ky ndërveprim mes Homo sapiens dhe Neandertalëve ndodhi në një mjedis të ashpër, ku mbijetesa ishte sfida kryesore.
Ky kapitull modest i historisë njerëzore është thjesht një kuriozitet shkencor. Identiteti ynë biologjik dhe kulturor është produkt i ndërveprimeve tona, ADN-ja e neandertalëve që mbartim sot ne është një fakt. Në këtë kuptim, takimi mes njerëzve të civilizuar dhe neandertalëve është një tregues se do të bëhej historia e njerëzimit, një histori e përplasjes, bashkëjetesës dhe trashëgimisë së mundshme të përbashkët.
