Media ruse me dezinformata tentojnë të shtrembërojnë faktet për krimet ndaj familjes Jashari

Deziformimit serb të hënën nuk i shpëtoi as paralajmërimi i Prokurorisë Speciale të Kosovës se do të ngreh aktakuzë për krimet ndaj familjes Jashari. Ky medium ka shkuar aq larg sa ka publikuar një tekst me titullin “Vazhdon gjuetia ndaj serbëve: Prishtina ngre aktakuzë për ‘vrasjen’ e Adem Jasharit”, shkruan The Geopost.

Në artikullin e portalit Sputnik dezinformohet për ngjarjet në Prekaz dhe, përmes përzgjedhjes selektive të informacionit dhe paraqitjes së pretendimeve të pakonfirmuara, tentohet të kontestohet aktakuza e paralajmëruar e Prokurorisë Speciale të Kosovës për ngjarjet në Prekazin e Poshtëm në mars të vitit 1998.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në lagjen e Jasharëve në Prekaz, 55 persona mbetën të vrarë, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte bërë cak i shtetit serb. Ndërkohë që Sputnik fjalën “vrasje” e ka vendosur në thonjëza, duke u munduar të dezinformojë faktet.

Pretendimi 1: “Vazhdon gjuetia ndaj serbëve: Prishtina ngre aktakuzë për ‘vrasjen’ e Adem Jasharit”.

Analiza dhe demanti:

“Sputnik” pretendon se aktakuza e paralajmëruar përbën vazhdim të „gjuetisë ndaj serbëve”, duke e paraqitur procesin gjyqësor si ndjekje të motivuar etnikisht kundër popullit serb.

Nuk ka prova që Prokuroria Speciale e Kosovës zhvillon „gjueti“ ndaj ndonjë populli. Hetimet lidhen me krimet e luftës dhe përgjegjësinë penale individuale.

Formulimi “Vazhdon gjuetia ndaj serbëve” është po ashtu një formulim emocional dhe akuzues. I njëjti nuk paraqet një fakt të verifikueshëm, por një interpretim politik derisa sugjeron se ekziston një fushatë sistematike kundër serbëve. Kësisoj Lexuesi orientohen që në titull drejt një përfundimi të caktuar.

Pretendimi 2: Fjala “vrasje” e Adem Jasharit e vendosur në thonjëza

Analiza dhe demanti: Vendosja e fjalës „vrasje” në thonjëza nuk është neutrale dhe, fokusi në njoftimin procedural të aktakuzës përdoret për të shtrembëruar ngjarjet në Prekaz dhe për të zvogëluar rëndësinë e akuzave që lidhen me vdekjen e dhjetëra anëtarëve të familjes Jashari.

Kjo teknikë përdoret shpesh në propagandë për të vënë në dyshim një ngjarje të dokumentuar ose për të relativizuar përgjegjësinë për të.

Operacioni i forcave serbe në Prekazin e Poshtëm më 5-7 mars 1998 rezultoi me vrasjen e dhjetëra anëtarëve të familjes Jashari, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Human Rights Ëatch dokumentoi se mes viktimave ishin 13 gra dhe 8 fëmijë, gjë që është dokumentuar në raportet e organizatave ndërkombëtare.

Po ashtu, dokumentime të mëvonshme ndërkombëtare dhe materiale të përdorura në proceset e Tribunalit të Hagës e trajtojnë sulmin në Prekaz si një nga ngjarjet kyçe të konfliktit në Kosovë, ku u vranë pothuajse 60 anëtarë të familjes Jashari.

Gjatë operacionit në Prekazin e Poshtëm në vitin 1998 u vranë dhjetëra anëtarë të familjes Jashari,

Pretendimi 3: „Ai pa mëshirë i detyronte të afërmit e tij të luftonin…” si dhe pretendimi se gjoja “krijoi mburojë njerëzore me gra dhe fëmijë për të fituar kohë…“

Analiza dhe demanti: Në gazetarinë profesionale, një pretendim i tillë nuk mund të paraqitet si fakt pa dokumente, dëshmi të verifikuara ose vendime gjyqësore që e mbështesin.

Raportet e Human Rights Watch, Amnesty International dhe në dokumentacionin e përdorur nga Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), nuk gjendet ndonjë konstatim i verifikuar që Adem Jashari ka përdorur civilë si mburojë njerëzore.

Po ashtu, asnjë aktgjykim ndërkombëtar dhe asnjë raport i njohur i organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nuk e ka konfirmuar këtë pretendim.

Në vend të provave të verifikuara, ky pretendim zakonisht paraqitet në narrativat zyrtare serbe dhe në media që mbështeten në ato narrativa. Mungesa e dëshmive të pavarura e bën pretendimin të pakonfirmuar.

Kosovo conflict | Summary & Facts | Britannica

Pretendimi 4: „e vrau nipin e tij për shkak të frikës“

Analiza dhe demanti:

Pretendimi se Adem Jashari vrau një nip të tij “për shkak të frikës” është një nga akuzat më të rënda që qarkullojnë në disa narrativa propagandistike serbe.

Ky pretendim shfaqet në disa narrativa të kohës së luftës dhe në disa media, por nuk është konfirmuar nga burime të pavarura ndërkombëtare apo nga gjykime para tribunaleve ndërkombëtare.

Do të thotë, nuk ekziston asnjë raport i Human Rights Ëatch, Amnesty International, OSBE-së apo ndonjë organizate tjetër të njohur ndërkombëtare që e konfirmon këtë pretendim.

Po ashtu, nuk ka asnjë aktgjykim të Tribunalit të Hagës apo të ndonjë gjykate tjetër ndërkombëtare që konstaton se një ngjarje e tillë ka ndodhur.

Përderisa mungojnë dokumente gjyqësore, dëshmi të verifikuara ose hetime të pavarura që e mbështesin këtë akuzë, paraqitja e saj si fakt përbën dezinformim ose, së paku, paraqitje të një pretendimi të pakonfirmuar si të vërtetë.

Analiza e tekstit të publikuar nga portali „Sputnik” tregon qartë se ky medium nuk raporton në mënyrë objektive për proceset gjyqësore, por përdor metodologji të dezinformimit hibrid dhe kornizim politik.

Artikulli përmban disa elemente tipike të propagandës dhe dezinformimit, jo domosdoshmërisht, pasi ngjarjet paraqiten në mënyrë selektive, me gjuhë emocionale dhe pa kontekstin e nevojshëm.

Po ashtu, në artikullin e lartcekur, “Sputnik” paraqet vetëm versionin e institucioneve serbe për ngjarjet e marsit 1998.

Nuk përmendet: nuk përmend faktet – se operacioni në Prekaz rezultoi me vrasjen e dhjetëra anëtarëve të familjes Jashari; se u vranë gra, fëmijë dhe të moshuar; se ngjarja konsiderohet masakër; se ngjarja ka qenë objekt i analizave dhe raporteve ndërkombëtare.

Përfundimisht, në një rast si ky – kur paraqitet vetëm njëra anë e historisë, kemi të bëjmë me manipulim përmes përzgjedhjes së informacionit.

Kjo na rikujton edhe njëherë se “Sputnik” funksionon si platformë për rishkrimin e ngjarjeve historike dhe përhapjen e propagandës, ku proceset ligjore përdoren për krijimin e narrativave politike, duke injoruar dokumentet dhe raportet zyrtare të institucioneve ndërkombëtare.


Go to TOP