Murseli akuzon Hysenin për skandal me prona komunale: 75 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet kompanisë së themeluar para dy muajsh

Anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga LDK-ja, Gentrit Murseli, ka ngritur akuza të rënda ndaj pushtetit komunal duke e cilësuar si “skandal të madh” propozimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të mbi 75 hektarëve tokë komunale.

Sipas Murselit, në mbledhjen e Kuvendit Komunal është proceduar për shqyrtim një propozim-vendim që parasheh dhënien në shfrytëzim për 99 vjet të dy parcelave komunale me sipërfaqe totale prej më shumë se 750 mijë metrash katrorë.

Ai ka theksuar se kompania e propozuar për shfrytëzimin e këtyre pronave, “NORD KOS”, është themeluar vetëm dy muaj më parë, më 24 prill 2026.

“Pra, kryetari i komunës, Alban Hyseni, tenton t’i japë pronat komunale në shfrytëzim sikur të ishin prona të tij private, pronarëve të një biznesi të hapur vetëm dy muaj më parë, pa respektuar procedurat ligjore dhe pa transparencë”, ka deklaruar Murseli.

Në cilësinë e anëtarit të Kuvendit Komunal, ai ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi duke e cilësuar atë si pjesë të “pazareve të natës”.

Murseli ka shtuar se ky rast duhet të shërbejë si mësim për kryetarin e komunës, Alban Hyseni duke theksuar se “nuk mund të falet asnjë centimetër tokë e qytetarëve të Gjilanit për interesa personale”. /Kosova.info/


Go to TOP