Reformat në Arsim – Prioritet mbi Prioritetet
Shkruan: Ismet HAJRULLAHU
Rezultatet e PISA 2025 zbulojnë dobësitë e thella të sistemit arsimor në Kosovë duke e bërë urgjente depolitizimin, krijimin e kuadrove të aftë dhe investimin serioz në dije, si kusht për zhvillim kombëtar.
Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ketë më shumë përkushtim dhe vizion të qartë për fushën e arsimit, një nga shtyllat më të fuqishme të zhvillimit kombëtar.
Të konkurrosh në tregun evropian dhe botëror kërkon mendje të ndritura dhe menaxherë të aftë. Ky investim në dije është një domosdoshmëri e kohës dhe një detyrë imediate e qeverisë së re, një fushë që duhet të shihet me seriozitet dhe larg ndikimeve të politikave ditore apo individuale.
Rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025 treguan mangësitë dhe dobësitë e shumta të sistemit tonë arsimor dhe njëkohësisht e bënë të qartë se sa urgjente është bërja e reformave të thella. Si intelektual, qytetar dhe prind, ndihesh i pashpresë për një shkollim cilësor të fëmijëve në institucionet tona. Kosova, me një moshë mesatare tepër të re të popullsisë, ka potencial të jashtëzakonshëm, por ky potencial po shuhet në mungesë të një sistemi arsimor funksional.
Politizimi i arsimit mbetet një plagë e madhe. Drejtorët e arsimit në shumicën e komunave janë të emëruar politikisht, shpesh pa lidhje me fushën e edukimit. Ky menaxhim i dobët ka sjellë rezultate të pritshme, një sistem që prodhon diploma. por pa dije.
Nëse nuk ndalet ky trend, Kosova rrezikon të krijojë një ushtri të diplomuarve të padijshëm, që do të kthehet në bumerang për shoqërinë në dekadën e ardhshme.
Zhvillimi i arsimit është një proces zinxhiror që ndërlidhet me hallka të ndryshme dhe nuk mund të funksionojë pa njëri-tjetrin. Përgjegjësia më e madhe bie mbi politikëbërësit, të cilët duhet të hartojnë politika të duhura dhe të krijojnë një infrastrukturë ligjore për një sistem arsimor koherent. Sa më i zhvilluar ekonomikisht të jetë një vend, aq më shumë i jep prioritet arsimit. Kjo u pa qartë edhe në ranglistën e fundit të PISA-s, ku vendet me ekonomi të zhvilluar prinin edhe në cilësinë e arsimit.
Ndryshe nga Kosova, Shqipëria ka treguar përmirësime të dukshme në PISA falë reformave të guximshme. Kosova duhet të mësojë nga ky shembull duke ndërtuar programe të përshtatura për realitetin e saj dhe jo duke kopjuar shabllone nga vendet e zhvilluara pa marrë parasysh kushtet tona. Nuk mund të ndërtojmë shkolla moderne pa kuadro të aftë që dinë të përdorin aparaturat dhe të transmetojnë dije.
Dobësitë e sistemit tonë arsimor janë të shumta, mungesa e laboratorëve, kushteve bazike, librave, si dhe mungesa e trajnimeve për mësuesit. Kjo formë e menaxhimit i lë hapësirë lulëzimit të një arsimimi të dobët dhe krijimit të një ushtrie diplomash pa dije. Nëse nuk ndryshojmë, Kosova do të përballet me pasoja të rënda ekonomike dhe shoqërore, si papunësi, emigrim masiv dhe mungesë konkurrueshmërie në tregun global.
Reformat duhet të fokusohen në krijimin e kuadrove të aftë, jo vetëm në ndërtimin e objekteve moderne, në depolitizimin e arsimit duke larguar militantët partiakë nga drejtimi i shkollave dhe institucioneve, në inkurajimin e të rinjve të arsimuar jashtë për t’u kthyer dhe kontribuar në vend. si dhe në bashkëpunimin me Shqipërinë për të ndërtuar një sistem arsimor koherent dhe të suksesshëm.
Vetë akademia e shkencave, e mbushur me figura pa kontribut real, duhet të reformohet për të mos e shkatërruar gradualisht sistemin arsimor.
Nëse e duam këtë vend, duhet të kthjellemi dhe t’i japim arsimit prioritet mbi prioritetet. Vetëm kështu Kosova mund të bëhet pjesë e zhvillimeve dhe trendeve botërore. Pa një reformë të thellë në arsim, çdo premtim politik mbetet bosh.
Arsimi është çelësi i zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor, dhe pa të, Kosova nuk mund të ecë përpara.
Kosova nuk mund të lejojë që arsimi të mbetet peng i politikës ditore, dhe çdo qeveri e re, duhet të tregojë se arsimi nuk është vetëm një slogan elektoral, por një prioritet real.
Nëse nuk investojmë sot në dije, nesër do të paguajmë çmimin e injorancës. dhe ky çmim nuk është vetëm ekonomik, por edhe shoqëror, kulturor e politik.
Një shoqëri e paarsimuar, nuk mund të ndërtojë institucione të forta, nuk mund të mbrojë demokracinë dhe nuk mund të ecë përpara.
