Kërçeli-Hotit: Mbrojeni LDK-në, për aleanca ka kush kujdeset

Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, ka reaguar ndaj thirrjes së ish-kryeministrit Avdullah Hoti, për protestën në mbështetje të projektit të gazit amerikan.

Ai ka thënë se shqetësimi i vërtetë i LDK-së, anëtar i së cilës është Hoti, është situata brenda partisë.

“Ta mbrojmë me protestë aleancën tonë me SHBA-të, tha një deputet dhe ish-kryeministër i LDK-së. Ooo mbrojeni LDK-në, sepse po ju ndërrohet qiramarrësi. Për aleancën me SHBA-të ka kush kujdeset dhe e mbron”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.

Hoti u bëri thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve e qytetarëve që të bashkohen në protestë për gazin amerikan. Ai ka thënë se Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë këtij projekti, duke kritikuar Qeverinë në detyrë për refuzimin e tij. 

Tutje, Hoti e ka akuzuar Vetëvendosjen për qasje anti-amerikane.

Go to TOP