Lushaku-Sadriu kërkon dorëheqjen e Çekut: Dështimi me testin e maturës po u bën padrejtësi nxënësve
Deputetja e LDK-së dhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për menaxhimin e Provimit Shtetëror të Maturës duke e cilësuar situatën si një padrejtësi ndaj maturantëve dhe një dështim të paralajmëruar.
Lushaku-Sadriu ka rikujtuar se kishte propozuar ndryshime në Ligjin për Provimin Shtetëror të Maturës duke kërkuar monitorim të avancuar dhe përdorimin e pajisjeve elektronike që do të pamundësonin komunikimin dhe kopjimin gjatë testimit.
Sipas saj, ky propozim ishte refuzuar nga ministri në detyrë i Arsimit, Arbër Çeku, me arsyetimin se procedurat e prokurimit për pajisjet elektronike kërkojnë kohë.
“Po të kishit dashur, problemin e kopjimit e kishit zgjidhur me një tender. Sot këto pajisje do të ishin në sallat e testimit dhe maturantëve do t’u sigurohej një ambient i sigurt dhe i drejtë”, ka deklaruar ajo.
Deputetja opozitare vlerësoi se publikimi i testit dhe fenomeni i kopjimit po e bëjnë provimin të pavlerë dhe po krijojnë pabarazi mes nxënësve.
Ajo akuzoi Qeverinë se arsimi nuk ka qenë asnjëherë prioritet duke shtuar se pasojat e kësaj qasjeje po i bartin fëmijët e Kosovës.
Në fund, Lushaku-Sadriu kërkoi përgjegjësi politike nga ministri Çeku duke thënë se ai duhet të japë dorëheqje menjëherë pas dështimit në organizimin e procesit të maturës shtetërore. /Kosova.info/
