Zemaj: Në shëndetësi ka degradim alarmues, duhet hetim për barnat, tenderët dhe menaxhimin e QKUK-së

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka ngritur akuza të ashpra ndaj Ministrisë së Shëndetësisë duke pretenduar se korrupsioni dhe interesat e grupeve të caktuara farmaceutike kanë ndikuar në funksionimin e sektorit shëndetësor.

Sipas Zemajt, shqetësimet e ngritura prej kohësh lidhen me ndikimin që, sipas tij, këto grupe kanë ushtruar në Ministrinë e Shëndetësisë, të udhëhequr nga Arben Vitia, si dhe në nivele të tjera të qeverisjes.

Ai vlerësoi se gjendja në Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe në spitalet rajonale është përkeqësuar ndjeshëm duke e cilësuar si degradim dhe keqmenaxhim që ka arritur nivele shqetësuese.

“Pacientët jo vetëm që përballen me mungesë të barnave për shkak të menaxhimit të dobët, shpërdorimeve ose vjedhjeve të mundshme, por ekzistojnë edhe shqetësime serioze lidhur me cilësinë dhe origjinën e disa barnave që futen në sistemin publik shëndetësor”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur nga institucionet përgjegjëse për të garantuar sigurinë e pacientëve dhe integritetin e sistemit shëndetësor.

Zemaj ka kritikuar gjithashtu procedurat e prokurimit publik duke përmendur tenderët njëburimorë dhe, sipas tij, çmimet e stërfryera të kontratave në një periudhë kur mungon mbikëqyrja parlamentare.

“Kjo qasje s’ka arsyetim, do hetim dhe përgjegjësi”, ka theksuar ai. /Kosova.info/


Go to TOP