Muharremi kritikon afrimin e LDK-së me LVV-në: Po e humbni dinjitetin për pushtet

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj zërave brenda LDK-së që, sipas tij, po shfaqin gatishmëri për bashkëpunim me LVV-në pas zgjedhjeve.

Përmes një postimi, Muharremi e cilësoi si të turpshme “vardisjen” e një pjese të LDK-së ndaj partisë së Albin Kurtit duke kujtuar se deri vonë eksponentë të kësaj partie e kishin akuzuar LVV-në për autoritarizëm, korrupsion dhe lidhje me “mafian energjetike”.

“Po si, o vlla, a nuk jeni ju ata që deri dje e keni quajt Albin Kurtin autokrat e njeri të rrezikshëm për Kosovën? A nuk keni thanë që janë të korruptum dhe po i shërbejnë mafias energjetike? Çka u ba tash, i harrum krejt si me magji?”, shkroi ai.

Muharremi vlerësoi se një koalicion i mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së nuk do të kishte bazë programore duke theksuar dallimet ideologjike ndërmjet dy subjekteve politike.

Sipas tij, LVV-së nuk i nevojitet LDK-ja për formimin e qeverisë, ndërsa LDK-ja nuk i ka votat e nevojshme për të imponuar kushte në proceset e ardhshme politike.

Ai theksoi se LDK-ja duhet të qëndrojë në opozitë dhe të merret me reformimin e brendshëm duke analizuar arsyet pse, sipas tij, në tri palë zgjedhje radhazi nuk ka arritur rezultatet e synuara.

“LDK nuk duhet me qenë pjesë e asnjë pushteti, po duhet me u marrë me veten. Me u pyet pse qe tri palë zgjedhje nuk po arrin me ba bash kurgjo”, u shpreh Muharremi.

Në fund, ai kërkoi përgjegjësi politike për rezultatet zgjedhore dhe strategjinë e ndjekur nga partia duke vlerësuar se ajo ka thelluar ndarjet e brendshme në vend që të sjellë bashkim. /Kosova.info/

Go to TOP