Muharremi: Kriza politike nuk është te numrat, por te mendësia e fituesve
Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se bllokada politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit nuk lidhet me numrat në Kuvend, por me qasjen dhe mendësinë politike të akterëve që kanë dalë fitues nga procesi zgjedhor.
Përmes një reagimi publik, Muharremi ka thënë se nga rezultati zgjedhor, Lëvizjes Vetëvendosje i takon posti i kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë, qoftë me partitë e pakicave apo me partnerë të tjerë që ajo i zgjedh.
Sipas tij, posti i Presidentit nuk i takon as LVV-së dhe as ndonjë partie tjetër politike.
“Presidenti nuk është, e as nuk i takon, LVV-së apo ndonjë partie tjetër. Aty më së miri do të ishte të zgjedhej një personalitet i pavarur, jopolitik, që i përmbush kriteret. Mundësisht grua, me një proces kredibil dhe gjithëpërfshirës, me kritere të specifikuara qartë”, ka deklaruar Muharremi.
Ai ka shtuar se formimi i institucioneve nuk duhet të jetë proces i komplikuar dhe se zvarritjet aktuale janë rezultat i zgjedhjeve politike të fituesve.
“Kaq e thjeshtë është me i formu institucionet. Kriza është zgjedhje opcionale e fituesëve”, ka theksuar ai. /Kosova.info/
