Veliu kërkon përgjegjësi në LDK: Abdixhiku dhe Osmani bartin barrën e dështimit zgjedhor

Ish anëtari i kryesisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor të 7 qershorit duke vlerësuar se rezultati i arritur nga LDK-ja nuk mund të paraqitet si sukses dhe se partia duhet të nisë një proces të thellë reflektimi dhe përgjegjësie.

Sipas Veliut, qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë në zgjedhje, ndërsa LDK-ja ka mbetur në vendin e tretë, larg pritjeve që, sipas tij, vetë lidershipi i partisë kishte krijuar gjatë fushatës zgjedhore.

Ai ka theksuar se përgjegjësia politike për këtë rezultat bie kryesisht mbi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidenten Vjosa Osmani, të cilët i ka cilësuar si arkitektët kryesorë të projektit politik që, sipas tij, nisi “me hile”.

“Nëse kërkohen meritat për sukseset, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet”, ka shkruar Veliu.

Ai ka kritikuar lidershipin aktual për shpërfilljen e paralajmërimeve të veprimtarëve dhe aktivistëve të partisë lidhur me centralizimin e LDK-së, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe përzgjedhjen e kandidatëve sipas interesave personale dhe grupore.

Sipas Veliut, rezultati i zgjedhjeve dëshmoi se këto shqetësime kanë qenë të bazuara dhe se projekti për transformimin e partisë ka marrë përgjigjen e elektoratit.

Ai ka kërkuar nisjen e një procesi të rregullt dhe transparent zgjedhor brenda partisë duke hapur rrugë për figura politike të dëshmuara që, sipas tij, gëzojnë mbështetje të gjerë dhe vendosin interesin e LDK-së mbi interesat personale apo grupore.

“Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre”, ka deklaruar Veliu.

Në fund të reagimit të tij, ai ka bërë thirrje që LDK-ja t’u rikthehet vlerave të saj tradicionale dhe anëtarësisë së saj duke përmbyllur mesazhin me fjalët: “LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.” /Kosova.info/

Go to TOP