Maqedonci nga Brukseli: U vlerësua përmirësimi i sigurisë në Kosovë
Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka deklaruar në Bruksel se në takimin e 35-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës është diskutuar situata në fushëbetejë dhe është rikonfirmuar mbështetja për Ukrainën, duke theksuar edhe kontributin e Kosovës përmes ndihmës ushtarake dhe trajnimit të trupave ukrainase. Ai ka shtuar se në takime bilaterale është diskutuar edhe siguria në Kosovë dhe rajon, ku është vlerësuar përmirësimi i saj.
“Sot u mbajt mbledhja e 35-të e grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, pikërisht këtu në selinë qendrore të NATO-s. Në atë mbledhje, si në të gjitha mbledhjet e tjera, pala ukrainase, presidenti Zelensky dhe ministri i mbrojtjes së Ukrainës, prezantuan zhvillimet e fundit në fushëbetejë, në linjën e frontit në mes të Ukrainës dhe Federatës Ruse, agresorit rus”, tha Ejup Maqedonci.
Ai më tej ka theksuar se vendet pjesëmarrëse në takim kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Ukrainën, duke vlerësuar njëkohësisht edhe angazhimin e vazhdueshëm të shteteve aleate në këtë proces.
“Gjithashtu, të gjithë ministrat rikonfirmuan edhe njëherë mbështetjen për Ukrainën. Shumë shtete po vazhdojnë që të ndihmojnë Ukrainën në këto çaste, në këto ditë të vështira për Ukrainën. Dihet që është viti i katërt i luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë. Gjithashtu, Kosova është një kontribuese aktive në mbështetje të Ukrainës, përveç që është anëtare me të drejta të plota në grupin e kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, është edhe një kontribuuese active”, tha ai.
Maqedonci po ashtu ka nënvizuar se Kosova ka dhënë mbështetje konkrete për Ukrainën përmes pakove ushtarake dhe trajnimit të trupave ukrainase.
“Këtë e kemi dëshmuar përmes mbështetjes që e kemi bërë me pako ushtarake, pra kemi dhënë donacion vitin 2023 për Ukrainën. Gjithashtu po vazhdojmë që të trajnojmë trupat e Ukrainës edhe në Republikën e Kosovës, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e operacionit Interflex, operacion që tashmë është në përfundim. Mirëpo ne kemi shfaqur gatishmërinë për të marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera në mbështetje të përgatitjes së trupave ukrainase taktikisht për luftën kundër agresorit rus”, shtoi Maqedonci.
Gjatë vizitës në Bruksel, ministri ka zhvilluar edhe takime bilaterale me homologë të vendeve të ndryshme, ku është diskutuar situata e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.
“Po ashtu, gjatë këtyre takimeve, pata rastin që të takoj veç e veç shumë prej ministrave, me të cilët biseduam rreth çështjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në Republikën e Kosovës. Nga të gjithë është vlerësuar që situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Pra, kjo ka sjellë edhe vendimin për zvogëlimin e trupave të NATO-s në Kosovë, pra trupave të KFOR-it. Mirëpo është kthyer pra në gjendjen që ka qenë para sulmeve të terroristëve dhe kriminelëve, të grupeve të Radoiçiqit dhe grupeve të tjera”, tha ai.
