Zogaj: Debati në LDK duhet të zhvillohet në organet e partisë, jo me deklarata të ngutshme

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe kryetar i degës së tretë të LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova” në Prishtinë, Alban Zogaj ka bërë thirrje për maturi, unitet dhe respektim të proceseve demokratike brenda partisë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Përmes një reagimi publik, Zogaj tha se analizat, reflektimi dhe mendimet e ndryshme pas zgjedhjeve janë normale dhe të nevojshme për çdo parti demokratike, por kritikoi atë që e quajti “nguti” të disa individëve për të dalë me deklarata, vetëm pak muaj pasi LDK ka mbajtur Kuvendin e Jashtëzakonshëm ku është votuar drejtimi i partisë.

Ai kujtoi se vitin e ardhshëm LDK-ja do të mbajë zgjedhjet e rregullta të brendshme duke theksuar se çdo anëtar që ka ambicie, ide apo vizion tjetër ka mundësinë të kandidojë dhe të kërkojë mbështetjen e anëtarësisë.

“LDK nuk ndërtohet me emocione të ditës. LDK është institucion politik me traditë, me statut dhe me rregulla që duhet t’i respektojmë të gjithë”, ka deklaruar Zogaj.

Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se LDK ka shënuar rritje dhe po dëshmon se mbetet një alternativë e rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Zogaj bëri thirrje që të shmangen përçarjet dhe etiketimet duke theksuar se partisë i nevojitet më shumë punë, maturi dhe unitet.

“Debatin do ta bëjmë aty ku duhet, në organet tona dhe në kohën e duhur. Kjo është mënyra më e mirë për ta respektuar LDK-në, anëtarësinë e saj dhe qindra mijëra qytetarë që na kanë besuar”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/

Go to TOP