Basha kërkon mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë për projekte hekurudhore

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për projektet infrastrukturore të Kosovës, veçanërisht ato hekurudhore, gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Investimeve në Transport.

“Sot pata kënaqësinë të jem panelist në Samitin e Investimeve në Transport, bashkë me ministrat homologë të Ballkanit Perëndimor, ku theksova rëndësinë për mbështetjen ndaj Kosovës në realizimin e projekteve tona infrastrukturore, në veçanti të atyre hekurudhore”, ka shkruar Basha.

Ai tha se gjatë diskutimit ka kërkuar që këto projekte të mbështeten nga partnerët ndërkombëtarë.

“Gjatë diskutimit, kërkova që këto projekte të mbështeten nga partnerët tanë ndërkombëtarë, pasi ato përveçse janë investime për zhvillimin ekonomik të Kosovës, kanë edhe rëndësi strategjike për rajonin dhe vetë Evropën, duke forcuar lidhjet tregtare, mobilitetin dhe integrimin ekonomik në kontinentin tonë”, ka shkruar ai.

Sipas Bashës, në panel ishin të pranishëm ministrat e transportit dhe infrastrukturës nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, ministri grek i Infrastrukturës dhe Transportit, Christos Dimas, si dhe përfaqësues të Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime.

“Kosova ka projekte të dobishme për rajonin e Evropën, vizion të qartë dhe partnerë të besueshëm. Tash është koha që këto projekte të gjejnë mbështetjen e nevojshme dhe të avancojmë drejt realizimit të tyre”, ka shkruar Basha. /Kosova.info/

Go to TOP