Haradinaj ia numëron Kurtit “dështimet” në sektorin e rrymës: Energjia nuk matet me propagandë

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për, sipas tij, mungesën e investimeve strategjike në sektorin energjetik dhe varësinë e vazhdueshme të vendit nga importi i energjisë elektrike.

Në një reagim në Facebook, Haradinaj tha se qytetarët e Kosovës nuk jetojnë më në vitin 2018, por në vitin 2026, duke kërkuar llogari për rezultatet e qeverisjes aktuale pas më shumë se pesë vitesh në pushtet

“Albin, kur nuk ke rezultate, flet për të kaluarën. Kur nuk ke projekte, flet për projekte që nuk u realizuan. Kur nuk ke përgjigje për të tashmen, sulmon ata që kanë marrë vendime para teje. Por qytetarët e Kosovës nuk jetojnë në vitin 2018. Qytetarët jetojnë në vitin 2026. Dhe pas pesë-gjashtë viteve të qeverisjes sate, bilanci është i qartë”, ka shkruar ish-kryeministri në Facebook.

Sipas tij, premtimet për transformim energjetik, pavarësi energjetike, zhvillim ekonomik dhe investime strategjike nuk janë realizuar. Ai theksoi se Kosova vazhdon të jetë importuese neto e energjisë elektrike dhe nuk arrin ta mbulojë konsumin e saj me prodhimin vendor.

Duke iu referuar të dhënave të Energy Community, Haradinaj tha se gjatë vitit 2024 Kosova ka prodhuar rreth 6.059 GWh energji elektrike, ndërsa ka konsumuar rreth 6.611 Gwh, duke regjistruar një deficit prej mbi 550 GWh.

Ai shtoi se kërkesa kulmore për energji në vitin 2025 ka arritur rreth 1.600 MW, ndërsa kapaciteti operativ ka qenë rreth 1.241 MË.

“Kosova ende mbështetet pothuajse tërësisht në termocentralet me linjit të ndërtuara para më shumë se pesë dekadash; Nuk është ndërtuar asnjë termocentral i ri; Nuk është ndërtuar asnjë central me gaz; Nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri bazik prodhues që garanton sigurinë energjetike afatgjate të vendit”, shkroi ai.

Haradinaj ngriti shqetësime edhe për shpenzimet e energjisë së importuar. Sipas tij, nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2020 janë shpenzuar mbi 270 milionë euro për blerje të energjisë elektrike, ndërsa nga 1 janari 2021 deri më 31 mars 2026 kjo shifër ka kaluar 923 milionë euro.

“Pra, gjatë qeverisjes suaj janë shpenzuar mbi 923 milionë EUR , ose mbi 652 milionë EUR më shumë sesa në periudhën paraprake. Po e përsëris: 923 milionë EUR për importe energjie. Dhe tani qytetarët kanë të drejtë të pyesin: – Ku është termocentrali i ri? – ⁠Ku është centrali me gaz? – ⁠Ku është projekti që do ta zëvendësojë TC Kosova A? – ⁠Ku është projekti që do ta bëjë Kosovën më pak të varur nga importi? Sepse përgjigjja është e thjeshtë: Nuk ekziston”, u shpreh ai.

Ish-kryeministri kritikoi gjithashtu mungesën e investimeve në rrjetin e transmetimit, duke pretenduar se gjatë pesë viteve të fundit nuk është ndërtuar asnjë nënstacion i ri 400 kV apo 220 kV dhe nuk është realizuar asnjë projekt madhor transformues në sistemin transmetues.

Duke kujtuar periudhën e qeverisjes së tij, Haradinaj përmendi si arritje krijimin e Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri, marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E, njohjen ndërkombëtare të zonës rregulluese të Kosovës dhe krijimin e bazës për funksionalizimin e tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri dhe ALPEX.

“Këto janë arritje historike që forcuan sovranitetin energjetik të Republikës së Kosovës. Ju çfarë po lini pas? Mbi 923 milionë euro importe energjie, mungesë kapacitetesh të reja gjeneruese dhe mungesë investimesh strategjike”, tha Haradinaj.

Në fund, ai theksoi se energjia nuk matet me propagandë, por me kapacitetet e ndërtuara, rrjetin e zgjeruar, nënstacionet e reja dhe sigurinë e furnizimit për qytetarët.

“Prandaj, Albin, problemi nuk është çfarë ka bërë Ramush Haradinaj në vitin 2018. Problemi është çfarë nuk keni bërë ju deri në vitin 2026. Sepse energjia nuk matet me propagandë. Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi mes nesh. Ne forcuam sovranitetin energjetik të Kosovës. Ju po menaxhoni pasojat e mungesës së investimeve strategjike. Historia do t’i gjykojë të dyja”, përfundoi ai.

Go to TOP