Manzambi, talenti i ri i Zvicrës që synon të shkëlqejë në Kupën e Botës

Mesfushori i ri i Zvicrës, Johan Manzambi, pritet të jetë një nga emrat më interesantë të Kupës së Botës 2026, teksa përgatitet të bëjë debutimin e tij në turneun më të madh të futbollit.

Njëzet vjeçari nga Gjeneva ka kaluar një sezon të jashtëzakonshëm me klubin gjerman Freiburg, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të përfaqësueses së Zvicrës nën drejtimin e trajnerit Murat Yakin.

Manzambi, i lindur më 14 tetor 2005, është djali i prindërve me origjinë nga Angola dhe Republika Demokratike e Kongos. Rruga e tij drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. Në vitet e para ai konsiderohej fizikisht i dobët dhe disa klube në Gjenevë nuk treguan durim për zhvillimin e tij.

Megjithatë, karriera e tij mori drejtim tjetër pasi u transferua në akademinë e Freiburg në janar të vitit 2023. Brenda një kohe të shkurtër ai kaloi nga ekipet e të rinjve te skuadra e parë, ndërsa debutoi në Bundesligë në gusht të vitit 2024.

Sezoni 2025/26 ishte ai që e vendosi përfundimisht në qendër të vëmendjes. Manzambi realizoi pesë gola dhe pesë asistime në Bundesligë, ndërsa shtoi edhe dy gola e dy asistime në Europa League. Ndeshjet e tij tërhoqën vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane.

Ai ishte një nga lojtarët më të spikatur të Freiburg në rrugëtimin drejt finales së Europa League dhe u shpall “Lojtari i Ri më i Mirë”.

Në përfaqësuesen e Zvicrës, ngritja e tij ka qenë po aq e shpejtë. Brenda më pak se dy vjetësh ai kaloi nga ekipet zinxhir te kombëtarja A, ku tashmë ka zhvilluar dhjetë ndeshje dhe ka shënuar tri gola.

“Të luash në Kupën e Botës është një ëndërr e fëmijërisë. Kur trajneri më dërgoi mesazh për ftesën, menjëherë e ndava lajmin me familjen dhe miqtë e mi”, ka thënë Manzambi.

Zvicra bën pjesë në Grupin B së bashku me Kanadanë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Katarin. 

Go to TOP