Dembele: Kritikat ndaj Mbappe janë të padrejta dhe kanë shkuar shumë larg

Sulmuesi i Francës, Ousmane Dembele, ka dalë në mbrojtje të kapitenit të kombëtares franceze, Kylian Mbappe, duke thënë se kritikat ndaj tij janë të tepruara dhe të padrejta.

Sipas Dembele, i cili po luan një rol të rëndësishëm te Franca në prag të Kupës së Botës, disa komentatorë dhe analistë kanë kaluar kufijtë me vlerësimet e tyre për yllin e Real Madrid.

Mbappe vazhdon të jetë një nga lojtarët më të përfolur në futbollin francez që nga kalimi i tij te Real Madrid në vitin 2024. Edhe pse ai mbetet golashënues i rregullt, sezoni i fundit i klubit të tij nuk solli trofe të mëdhenj, gjë që ka rritur edhe më shumë kritikat ndaj tij, përfshirë edhe për rolin e tij si kapiten i Francës.

Dembele ka theksuar se kritikat shpesh shkojnë deri në detaje të vogla të jetës dhe sjelljes së Mbappe, gjë që sipas tij është e tepërt.

“Është shumë, shumë e padrejtë ajo që po i bëhet. Disa njerëz po e teprojnë me kritikat ndaj Kylianit”, ka thënë Dembele për mediat. “Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe një njeri shumë i mirë jashtë fushës. Ai është lider i ekipit tonë dhe një pjesë shumë e rëndësishme e Francës”. 

Ai ka shtuar se Mbappe mbetet një figurë profesionale brenda kombëtares dhe një nga liderët kryesorë të skuadrës.

Dembele ka vlerësuar trajnerin Didier Deschamps, i cili pritet të largohet pas përfundimit të Botërorit, duke e quajtur atë një trajner të jashtëzakonshëm dhe legjendë të futbollit francez.

I pyetur për mundësinë që Zinedine Zidane të marrë drejtimin e Francës në të ardhmen, Dembele është shprehur pozitivisht, duke thënë se ai do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer për kombëtaren.

Go to TOP