Arrestohen dy të mitur të dyshuar për vjedhje të rëndë në Mitrovicë
Dy persona të dyshuar janë arrestuar nga Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi intensiv të zhvilluar nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicë të Jugut.
Të dyshuarit janë identifikuar në bazë të provave të siguruara dhe dyshohet se në bashkëveprim kanë kryer një vjedhje të rëndë të raportuar dy ditë më parë.
Sipas hetimeve fillestare, të dyshuarit kanë depërtuar në një banesë private dhe kanë vjedhur një shumë parash në pronësi të një qytetari.
Pas intervistimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, prokurori i rastit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 24 orësh ndaj dy të dyshuarve, të cilët janë të moshës së mitur.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
