Paraburgim për të dyshuarit për shpëlarje parash dhe terrorizëm
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve me inicialet S.D., B.K. dhe A.A., pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të gjykatës, të pandehurit dyshohen për përfshirje në një sërë veprash penale, përfshirë pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim, detyrim dhe shpëlarje parash. Ndërkaq, i pandehuri B.K. dyshohet edhe për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Po ashtu, sipas dyshimeve të paraqitura nga organi i akuzës, S.D. dhe B.K. në bashkëkryerje dyshohen për veprën penale të lehtësimit dhe financimit të terrorizmit, ndërsa S.D. veçmas dyshohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. I pandehuri A.A. dyshohet për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata Themelore në Prishtinë theksoi se pas shqyrtimit të kërkesës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se paraburgimi është masa më e përshtatshme në këtë fazë të procedurës.
“Ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale dhe ndikimit në dëshmitarë.
“Nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit do të përsërisin veprat penale, po ashtu të ndikojnë edhe në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale në këtë çështje”, thuhet më tej në arsyetimin e gjykatës.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Kosova.info/
