Trajneri austriak pranë kalimit te Milani
Oliver Glasner është shndërruar në kandidatin kryesor të AC Milanit për postin e trajnerit të ri, pas largimit të Massimiliano Allegrit.
Sipas mediave italiane, “Rossonerët” i kanë ofruar trajnerit austriak një kontratë dyvjeçare, me pagë që varion nga 3 deri në 5 milionë euro në sezon. Lajmi është raportuar nga Gazzetta dello Sport dhe SportMediaset.
Raportimet tregojnë se Glasner është i gatshëm t’i bashkohet Milanit dhe pritet ta pranojë ofertën, megjithëse marrëveshja ende nuk është nënshkruar zyrtarisht.
Në prapaskenë, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, po punon fillimisht për emërimin e një drejtori teknik. Mes emrave të përfolur është edhe Ralf Rangnick, i cili e konsideron Glasnerin si zgjedhjen ideale për stolin e skuadrës kuqezi.
Ndërkohë, thuhet se trajneri austriak ka refuzuar një ofertë nga Fenerbahçe, duke i dhënë përparësi një transferimi të mundshëm në Serie A.
Edhe pse marrëveshja mbetet ende në pritje të finalizimit, Milani duket gjithnjë e më pranë emërimit të Oliver Glasnerit në krye të skuadrës.
