Prevalla, destinacion për relaks dhe mirëqenie
Ajri i pastër dhe natyra e Prevallës po tërheqin çdo vit vizitorë të shumtë nga vendi dhe diaspora. Disa prej tyre thonë se qëndrimi në këtë zonë ka ndikuar pozitivisht në gjendjen e tyre shëndetësore. Ndërkohë, qytetarët dhe institucionet bëjnë thirrje për më shumë kujdes ndaj mjedisit dhe investime në infrastrukturën turistike.
Prevalla e Prizrenit është kthyer në një shpresë për personat që vuajnë nga sëmundje të rënda. Kurdi Halili nga Kumanova, por me qëndrim në Zvicër, pas një terapie profesionale mjekësore, ka zgjedhur që të qëndrojë për disa ditë pushimi në Prevallë.
“Kam disa probleme shëndetësore, kam ardhur për relaks, është i vetmi vend në botë, vërtetë është edhe një vend në Kanada, por atje shkojnë vetëm multimiliarderat, sepse duhet të transferohen me helikopter, kurse këtu është i vetmi vend në botë që është shërues i disa sëmundjeve, sidomos i kancerit, dhe astmatikëve. Unë kam qe shtatë ditë këtu, mundem thënë se për 7 ditë shëndeti im është përmirësuar për 10%”, tha Kurdi Halili- Kumanovë – mërgimtar i Zvicrës.
Me probleme po përballet edhe bashkëshortja e Mehmet Xhelhasanit. Jetojnë në Zvicër, ndërsa ky është viti i tretë që frekuentojnë Prevallën. Përmirësimi është i dukshëm thotë Mehmeti.
“Shoqen e kam pas pak me shëndet të dobët edhe qe tri vite po vij rregullisht. Nëse bëhet fjalë për shëndetin, për shëndet ka ndryshuar shumë, e kam pa që e ka ndihmuar shumë vitin e parë, vitin e dytë dhe kam vendos edhe sivjet, dy vitet e para kam nejt nga 10 ditë, sivjet tri javë. Kam qenë në bjeshkë të Zvicrës, por ky ajër nuk kam mundur ta hetoj që është kaq i mirë atje”, tha Mehmet Xhelhasani- Mërgimtarë nga Zvicra.
Ismet Mustafa, nga Shkupi edhe ky jeton në Holandë, vjen në Prevallë çdo vit. Thotë se kjo i ndihmon shumë në shëndet. Duke e parë gjendjen e ndotjes së ambientit, ka porositur mjetet e punës, ndërsa thotë se deri në gjashtë orë mbledh mbeturinat që personat e papërgjegjshëm lënë pas.
“Qeset me vete, i kam ble, edhe këtë e kam ble, e kam porositë se nuk kishte pas këtu. Edhe vjet e kam pastruar këtë pjesë këtu, qysh po e shihni. Por siç edhe e patë, kanë ardhur njerëzit këtu dhe e lënë bërllokun kështu, kjo është se di. A kanë kulturë a kanë njerëzi, nuk e di”, tha Ismet Mustafa- Shkup, Hollandë
Kryeshefi i Ekoregjionit Burim Shala, thotë se vetëdijesimi qytetarë duhet të ngrihet, ndonëse kompania ks një plan operativ për stinën e verës.
Meqë ky vend sa turistik është edhe shërues për të sëmurë, higjiena duhet të jetë në nivel më të lartë. Pushuesit, sidomos ata që kanë probleme shëndetësore, kërkojnë më shumë investim në infrastrukturë, sidomos në banjo publike, si dhe një ambulantë mjekësore.
