AAK premton projekte zhvillimore për Suharekën
Premtime për mbështetje të bujqësisë, fuqizim të grave dhe projekte zhvillimore për Suharekën. Këto ishin premtimet kryesore të tubimit që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbajti me Aleancën e Gruas dhe Rininë në këtë komunë.
Kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, premtoi heqjen e taksës për tokat bujqësore që punohen, ndërsa Ramush Haradinaj e cilësoi atë si njeriun e duhur për ta udhëhequr vendin në sfidat e zhvillimit ekonomik, energjisë dhe sigurisë.
Në tubimin me Aleancën e Gruas dhe Rininë në Suharekë, drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, premtuan projekte të mëdha dhe zhvillim për këtë komunë.
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, tha se një nga synimet kryesore të programit të tij është fuqizimi i grave dhe përfshirja e tyre si faktor i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjini premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të merret vendim për heqjen e taksës për tokat bujqësore që punohen.
“Kjo zonë ka njerëz punëtorë, të ndershëm, të vyer dhe të mençur. Ne duhet tu japim nxitje qytetarëve që ta punojnë tokën dhe të përfitojnë prej saj. Prandaj, kemi vendosur ta heqim taksën për tokat që punohen”, tha Ardian Gjini, kandidat për kryeministër, AAK.
Ndërkaq, ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke kërkuar mbështetje për Gjinin, tha se Kosova ka nevojë për pavarësi energjetike, zhvillim ekonomik dhe siguri.
“Ju siguroj me gjithë qenien time dhe me gjithë përvojën time se para jush është njeriu i duhur, dhe ai është Ardian Gjini. Ua them me zemër, me shpirt dhe me bindje të plotë. Vendin e presin disa projekte të rëndësishme, ndërsa Ardiani është njeri i dijes dhe partner i mirë, gjë që ka shumë rëndësi”, tha Ramush Haradinaj, ish-kryetar i AAK-së.
Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputetë nga komuna e Suharekës në listën e AAK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
