Kelmendi: Brezi i ri i xhudos ka kushte më të mira, por më pak fokus
Kampionia olimpike flet për sfidat e rinjve, ndikimin e rrjeteve sociale dhe pritjet për gjeneratën e ardhshme të xhudos kosovare
Kampionia olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi, vlerëson se gjeneratat e reja të xhudistëve po stërviten në kushte dukshëm më të mira sesa ato me të cilat është përballur ajo në fillimet e karrierës, megjithatë sfidat e kohës moderne kanë sjellë probleme të reja për sportistët e rinj. Në një intervistë për RTK-në gjatë turneut të 16-të ndërkombëtar “Xhudo për Paqe” në Pejë, Kelmendi tha se çdo aktivitet sportiv i rikthen kujtimet e fëmijërisë dhe periudhës kur nisi rrugëtimin drejt majave të sportit botëror.
“Fëmijët dhe sportistët në Kosovë i kanë kushtet shumë më të mira sesa i kemi pasur ne. Nuk i kanë ato vështirësi që i kemi pasur ne dikur, qoftë sa i përket kushteve apo aspektit financiar. Megjithatë, çdo garë që mbahet në Kosovë më rikthen kujtime shumë të bukura nga koha kur garoja si fëmijë”, tha Kelmendi.
Ajo kujtoi emocionet e garave në vend, ku prania e familjarëve i jepte motiv shtesë për të arritur rezultate.
“çdo garë që mbahet… kur shkojmë me fëmijë si trajnere, më risjell njëfarë nostalgjie, do kujtime shumë të mira që i kam pasur si fëmijë. E mbaj mend që këto garat kur kanë qenë në Kosovë edhe si fëmijë kur kam garuar, kam pasur shumë adrenalinë, emocion për faktin se i kam pasur prindërit prezentë aty… Kështu që kjo më ka bërë gjithmonë që me pas më shumë motiv edhe më shumë dëshirë për me fituar”, tha Kelmendi.
Sipas saj, brezi i ri vazhdon të ketë potencial të madh, ndërsa veçoi vajzat si më të përkushtuara në procesin stërvitor.
“E kemi një gjeneratë të mirë që po vjen. Ndoshta pak keq me thënë, por prapë vajzat janë pak më punëtore se djemtë dhe më të rregullta”, u shpreh ajo.
Megjithatë, kampionia olimpike vlerëson se një nga sfidat më të mëdha të kohës është shpërqendrimi i të rinjve nga teknologjia dhe rrjetet sociale.
“Ky është problemi më i madh që e kemi. Ndoshta stërvitjen e kemi në ora 10, por bëhet ora 10 e gjysmë dhe ata ende nuk janë nisur. Faktori kryesor janë rrjetet sociale dhe teknologjia”, tha Kelmendi.
Ajo tregoi se kalimi nga sportiste në trajnere ka kërkuar kohë dhe përshtatje, pasi secila gjeneratë ka nevojë për qasje të ndryshme.
“Në fillim kam menduar se duhet të jem si Toni Kuka, por nuk funksionon ashtu. Secili duhet ta gjejë mënyrën dhe metodën e vet të punës, sidomos kur punon me fëmijë”, tha ajo.
Duke folur për ciklin e ri olimpik drejt Lojërave Olimpike të Los Anxhelosit 2028, Kelmendi tha se atmosfera olimpike tashmë ka filluar të ndihet në mesin e xhudistëve të nivelit më të lartë.
“Është një stres pozitiv. Të gjithë sportistët që janë në elitën botërore tashmë e kanë fokusin te cikli olimpik. Ka presion shtesë, por edhe një motivim të veçantë”, theksoi ajo.
Pavarësisht se nuk garon më, Kelmendi tha se nuk i mungon jeta si sportiste aktive, pasi vazhdon të jetë pjesë e përditshme e xhudos përmes rolit të trajneres dhe pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare.
Në fund, ajo u shpreh optimiste për të ardhmen e xhudos kosovare, duke theksuar se sistemi i ndërtuar ndër vite nga trajneri Driton Kuka vazhdon të prodhojë rezultate.
“E kemi një gjeneratë shumë të mirë të kadetëve dhe parakadetëve. Duhet vetëm të vazhdojmë të punojmë. Sistemi i punës është i mirë dhe kjo na jep besim se sukseset do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha Kelmendi.
Sipas saj, progresi i vazhdueshëm i të rinjve mbetet motivimi më i madh për të vazhduar punën në rolin e trajneres dhe për të kontribuar në krijimin e kampionëve të rinj të Kosovës.
