Krasniqi: Kurti më tha në sy se Vetëvendosja është e imja
Albin Kurti e sheh Vetëvendosjen si pronë private të tij.
Kështu të paktën pretendon Florin Krasniqi, ish financues, ish anëtar dhe ish deputet i Lëvizjes.
Sipas këtij të fundit, që garon sërish për deputet, por tash me Partinë Socialdemokrate (PSD) Kurti e ka transformuar Vetëvendosja nga një lëvizje politike në një organizatë të kontrolluar plotësisht nga ai, si lider.
Për më tepër, Krasniqi, në “Intervista Zgjedhore” te KosovaPress tha se Kurti, me qëllimin për ta “privatizuar” partinë, e kishte shitur edhe banesën e vetë. Këtë e kishte bërë me idenë për t’i bërë “konkurrence” Krasniqit në atë se kush kontribuon me shumë në lëvizje, duke ditur se ky i fundit, siç e pranon edhe vetë, në vitet 2008, 2009, 2010…, ishte financuesi kryesor i Vetëvendosjes.
Ai e akuzon kryetarin e LVV-së dhe kryeministrin në detyrë për keqqeverisje në gjashtë vjetët e mandatit, teksa e sheh atë si përgjegjësin kryesor për përçarjet në skenën aktuale politike dhe jo vetëm, në Kosovë.
“Vetëvendosja është pronë personale e Albin Kurtit, nuk është parti politike, nuk është organizatë politike. Jo, jo, krejt janë kot. Formalitet. Ai më ka thënë në gojë që Vetëvendosja është e imja. Ai nuk heziton me thënë. Personalist e ka thënë: ‘E imja’. Në takimin e fundit që kam pasur, ka thënë: ‘Vetëvendosja është e imja, kush do rri, kush do shkon…02:58 Shitjen e banesës e ka bërë vetëm për faktin që unë e kam financuar 90% të Vetëvendosjes në vitin 2008, 2009, deri në 2010. Edhe atëherë kur unë e kam marrë primatin e financuesit, jo me qëllim të keq, jo me u bërë pronar, se nuk kam dashur me ble parti politike. Në atë kohë, prej xhelozisë që unë jam bërë i vetmi financues, prej frikës që unë po bëhem pronar i Vetëvendosjes, ose bashkëpronar me Albinin, ai e ka shitur banesën për t’i treguar se kjo është e imja”, tha ai.
Krasniqi thotë se raportet e tij me Kurtin u përkeqësuan pas përçarjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2017. Ai pretendon se në takimin e fundit mes tyre, të zhvilluar po këtë vit, Kurti i kishte thënë hapur se ai është i vetmi që vendos se kush duhej të qëndronte dhe kush duhej të largohej nga organizata.
Krasniqi thotë se kishte shkuar në atë takim me synimin për të gjetur rrugë pajtimi mes grupeve të përfshira në konfliktet e brendshme, por se biseda përfundoi me përplasje të ashpra dhe ndërprerje të plotë të marrëdhënieve mes tij dhe Kurtit.
“Nuk kemi fare raporte, asnjë lloj. Takimin e mbramë e kemi pasur në 2017-ën atje në Gorenje, në një restorant, edhe ai ishte takimi i fundit. Për interesin e Kosovës takohem me të gjithë, por për qejf s’kam qejf me pa…Në momentin kur i kam thënë se unë jam ardhur me u pajtu dhe me mbyll këtë përçarje brenda, ai ka eskaluar. Ka eskaluar, më ka thënë: ‘Vetëvendosja është e imja, kush do rrin, kush do shkon…’ Unë e kam sqaruar se nuk është ashtu si thua ti. Ti ma ke pru Dardan Molliqajn, më ke thënë ‘e kam vëlla’. E nuk merrem unë me vëlla. Ka filluar agresiviteti. Kemi folur disa fjalë fyese, ku unë e kam fyer atë, por nuk është për publik. Pastaj e ka marrë çantën e vogël e ka ikur dhe s’e kam pa më dhe s’kam qejf. Ky njeri i ka bërë dëm Kosovës me përçarjen në LVV, i ka bërë dëm Kosovës me përçarjen që ia bën tash. Ai dhe vetëm ai e ka përçarë popullin në fundament, e ka përçarë familjen”, theksoi ai.
Në intervistë, Krasniqi ka ngritur akuza edhe për ekzistencën e “një strukture të organizuar të komunikimit dhe propagandës brenda Vetëvendosjes”.
Ai pretendon se Dejona Mihali ka pasur rol kyç në menaxhimin e aktiviteteve online të partisë, duke pranuar se kishte qenë vetë ai që kishte siguruar pajisje kompjuterike për zyrat e lëvizjes, në vitet e para të funksionimit të saj.
Sipas tij, këto struktura janë përdorur për sulme ndaj kundërshtarëve politikë dhe figurave publike që kishin qëndrime kritike ndaj Vetëvendosjes.
“Dejona Mihali. Dejona, kur e kam përmendur atë dhomën e madhe që kam thënë unë kur i kam çuar unë nja 20 kompjuterë aty në vitin 2012-2013, atëherë s’ka qenë kjo pjesa e internetit shumë e zhvilluar, s’kanë pasur as internet në telefon, u kanë shumë më zor. Kanë filluar aty me shkruar komente për media, për kundërshtarë. Një deputet aty më ka thënë se janë për me sha njerëz…(Dejona Mihali) ka rol shumë të madh. Unë mendoj se, kur kam qenë unë, e ka ditur gjithçka. Unë e kam paguar nja katër vjet, e kam mbajtur me rrogë atë prej parave të mia”, shtoi ai.
Krasniqi adresoi kritika edhe ndaj numër dy të LVV-së, njëherësh ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për të cilin pretendoi se nuk ka qenë transparent lidhur me të kaluarën e tij politike. Ai përsëriti pretendimet për lidhje të Konjufcës me SHIK-un, duke e akuzuar atë për deklarime kontradiktore në publik.
“Glauku rren ndër sy. Për shembull, në televizion ka dalë dhe ka thënë s’jam qenë në SHIK. Ka dalë, ai vetë ka thënë me dhjetëra herë. Me Aida Dërguti, bëjshim hajgare kur kemi qenë në SHIK. Aida e pranon që ka qenë, por ai rren ndër sy me dhjetëra herë. Nuk mundesh me ndërtuar karrierë politike duke gënjyer publikisht”, shtoi ai.
Përtej kritikave ndaj figurave të Vetëvendosjes, kandidati i PSD-së foli edhe për nevojën e organizimit të partive të opozitës, për të cilat thotë se duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët përballë LVV-së dhe të ndërtojnë një alternativë politike që do të sfidonte dominimin e Vetëvendosjes në skenën politike.
Ai kritikoi gjithashtu edhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se angazhimi politik duhet të mbështetet mbi bindje ideologjike dhe jo mbi lëvizje të shpeshta politike.
“Unë nuk jam fans i LDK-së as i PDK-së. Unë mendoj se ata kanë marrë nokaut klasik në zgjedhjet e fundit. Partia jonë mendoj se duhet me u bë një trup opozitar. Dhe në një presion që po ua bëjmë atyre, ata kanë me pranu me kriju një trup opozitar dhe me u pajtu që nuk bashkëpunojmë me LVV-në… 03:45 Unë nuk jam Lumir Abdixhiku që ka shkuar në të gjitha partitë. Ka takuar Vetëvendosjen disa herë, ndoshta pesë-gjashtë herë, kur jam qenë unë aktiv në Vetëvendosje, me parti të tjera. Unë nuk jam ai. Unë besoj se duhet me shku me këqyrë ku me gjetë çerdhe, angazhimi politik është mbi bazën e bindjeve tua politike. Unë besoj në barazinë sociale, besoj në socialdemokraci, është bindja ime. Unë nuk kam këqyrur ku me gjetë çerdhen në parti politike. Politika bëhet me bindje politike, a je i djathtë, a je i majtë, a je i qendrës, i gjelbër. Koncepti politik bëhet mbi bazën e bindjeve tua politike”, përfundon ai.
