Gashi: Arsimi prioritet, kërkon mbështetje për ndryshim në nivel qendror

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Gashi, ka theksuar se arsimi dhe infrastruktura arsimore kanë qenë ndër prioritetet kryesore gjatë qeverisjes së tij në nivel komunal.

Sipas Gashit, rezultatet konkrete janë dëshmuar përmes arritjeve të mësimdhënësve dhe nxënësve, të cilët për vite me radhë kanë zënë vendet e para në nivel vendi si “mësimdhënës të dalluar”, si dhe përmes angazhimit të administratës komunale të arsimit, si para ashtu edhe pas luftës.

Ai ka vlerësuar se këto suksese janë fryt i punës së vazhdueshme dhe përkushtimit institucional në sektorin e arsimit duke e konsideruar këtë fushë si bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Në kuadër të fushatës zgjedhore, Gashi ka ftuar qytetarët që të mbështesin subjektin e tij politik dhe kandidaturën e tij me numër 31 duke theksuar se synon që përvojën dhe modelin e punës në nivel lokal ta bartë edhe në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka bërë thirrje për, siç u shpreh, ndaljen e moszhvillimit, përçarjeve dhe propagandës duke premtuar angazhim për reforma dhe avancim të mëtejmë në sektorin e arsimit dhe më gjerë. /Kosova.info/


Go to TOP