Shtëpia e masakrës në Lagjen e Boshnjakëve shndërrohet në muze kujtese

Një objekt në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut është shndërruar në muze, më shumë se dy dekada pas masakrës që ndodhi aty, duke u kthyer në vend të kujtesës historike për viktimat. Autoritetet thonë se këto hapësira do të shërbejnë për dokumentimin e krimeve dhe edukimin e brezave të rinj mbi të kaluarën.

Më shumë se 27 vjet pas masakrës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, shtëpia ku ndodhi krimi është kthyer në muze. Njëra nga banoret e kësaj lagjeje rrëfeu ngjarjet e asaj dite.

“Nëntë persona i kanë mbështetur për muri dhe u kanë thënë: “Ju për Shqipëri”. Ndërsa 40 të tjerë janë vrarë këtu, jo vetëm të vrarë, por edhe të djegur. Fqinjët kanë thënë se britmat e tyre janë dëgjuar deri në qiell”, tha ajo, raporton RTK.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi dëgjoi rrëfimet për këtë masakër, tha se Kosova sot është më e fortë se kurrë, duke shtuar se kriminelët janë larguar, ndërsa vendi është një Republikë e pavarur që po forcohet vazhdimisht në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Të gjitha këto vende të masakrave dhe krimeve të Serbisë, të të gjitha llojeve “krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të gjenocidit” po i shndërrojmë në vende të kujtesës kolektive. Këto vende do të ndihmojnë në dokumentimin e krimeve për brezat e rinj, për studiues të ndryshëm, por gjithashtu edhe për drejtësinë kundër atyre kriminelëve, qofshin ekzekutorë apo urdhërdhënës”, theksoi Kurti.

Shtëpia që u kthye në muze i përkiste familjes Sahiti nga Mitrovica.

Go to TOP