Hadergjonaj mobilizon Gjakovën dhe Stubllën: Qytetarët kërkojnë qeverisje më të përgjegjshme
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj, ka vazhduar aktivitetet elektorale me takime në Gjakovë dhe Stubëll të Vitisë, ku është pritur me entuziazëm nga qytetarët.
Në Gjakovë, Hadergjonaj theksoi se energjia dhe mbështetja e qytetarëve janë tregues i qartë se kërkohet një qeverisje më e përgjegjshme dhe më pranë nevojave të tyre. Ai e cilësoi Gjakovën si qytet të vlerave, qëndresës dhe dijes duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë.
“Entuziazmi që pamë sot është dëshmi se qytetarët kërkojnë ndryshim dhe përfaqësim të denjë,” u shpreh ai.
Ndërkohë, në Stubëll të Vitisë, kandidati i LDK-së zhvilloi një takim me banorët lokalë, ku u diskutua për sfidat dhe perspektivën e zhvillimit të komunitetit. Hadergjonaj vlerësoi mikpritjen dhe angazhimin e qytetarëve duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Ai shtoi se synimi i tij dhe i LDK-së mbetet krijimi i mundësive për të rinjtë dhe ndërtimi i një Kosove që i mban ata pranë familjeve të tyre.
Hadergjonaj garon me numrin 22 në listën e LDK-së për zgjedhjet parlamentare duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për vizionin e tij politik. /Kosova.info/
