Gabimi politik që i kushtoi shtrenjtë LDK-së

Shkruan: Sami VELIU

Një nga gabimet më të mëdha strategjike që i ndodhi LDK-së në vitet e fundit ishte afrimi i tepërt i një pjese të mirë të strukturave të saj me LVV-në, deri në atë masë sa një pjesë e elektoratit tradicional rugovist filloi ta shihte LVV-në si vazhdim apo alternativë më “të pastër” se edhe vetë LDK-ja.

Në atë kohë, shumë figura brenda LDK-së, e sidomos Vjosa Osmani, u bindën se përmes afrimit me LVV-në mund ta reformonin skenën politike dhe ta ruanin mbështetjen popullore. Por në realitet ndodhi krejt e kundërta. Në vend se LVV të afrohej me frymën tradicionale institucionale të LDK-së, ishte një pjesë e LDK-së që gradualisht u tërhoq në orbitën politike të LVV-së.

Pikërisht ky ishte momenti kur një pjesë e elektoratit të LDK-së filloi të rrëshqasë drejt LVV-së. Shumë votues rugovistë, duke parë afërsinë politike, gjuhën e përbashkët dhe koordinimin publik mes figurave të LDK-së dhe LVV-së, filluan ta humbnin dallimin mes dy subjekteve. Dhe kur elektorati nuk e sheh më dallimin mes origjinalit dhe alternatives (fotokopjes), zakonisht kalon te ai që duket më agresiv, më energjik dhe më dominues në skenë.

Sot, pas 5-6 vitesh, duket qartë se një pjesë e atyre figurave politike po përpiqen ta rikthejnë kohën prapa dhe të distancohen nga pasojat e atij afrimi politik. Por politika është si lumi: uji që kalon nuk kthehet më prapa. Elektorati që është larguar një herë, shumë vështirë rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Vjosa Osmani sot mundohet të krijojë përshtypjen e një pozicioni më të balancuar dhe më institucional, por realiteti është se ajo ishte figura kyçe që ndikoi në afrimin emocional dhe politik të një pjese të madhe të elektoratit të LDK-së me LVV-në. Dhe pasojat e atij afrimi vazhdojnë të ndihen edhe sot.

Ky rast mbetet një mësim i madh politik: kur një parti humb identitetin e vet dhe fillon të jetojë në hijen e një force tjetër politike, rrezikon jo vetëm humbjen e kuadrove, por edhe shpërbërjen graduale të vetë bazës së saj elektorale.

Go to TOP