Blerta Foniqi Kabashi i jep fund rrugëtimit 22-vjeçar në RTK: “Po largohem e çliruar, por RTK mbetet zemra ime”
Pas më shumë se dy dekadash angazhim në Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), gazetarja dhe moderatorja Blerta Foniqi Kabashi ka njoftuar largimin e saj nga institucioni publik, duke e përmbyllur një kapitull të rëndësishëm profesional, shkruan Kosova.info.
Në një mesazh përshëndetës, ajo bëri të ditur se kjo ishte dita e saj e 8157-të në RTK, duke reflektuar mbi një rrugëtim 22-vjeçar të mbushur me sfida, zhvillim profesional dhe kujtime të veçanta.
“Kam menduar se do të mërzitem shumë kur të vijë dita të largohem nga RTK. Por është krejt e kundërta. Po ndihem e çliruar,” ka shkruar ajo, duke lënë të kuptohet se vendimi për largim ka qenë i menduar dhe i ndjerë thellë.
Foniqi Kabashi theksoi se gjatë gjithë karrierës së saj ka punuar me profesionalizëm dhe dinjitet, ndërsa shtoi se “faji i vetëm” i saj ka qenë bindja se RTK duhet të funksionojë si transmetues i vërtetë publik.
Ajo u shpreh e vendosur që edhe në të ardhmen të kontribuojë për një RTK më të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve, duke e konsideruar këtë si një mision që vazhdon përtej largimit të saj nga institucioni.
Gazetarja falënderoi kolegët dhe shikuesit për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se kjo përkrahje ka qenë një motiv i fortë për të mos u dorëzuar.
Në fund të mesazhit, ajo la të hapur mundësinë e një rikthimi të shpejtë në publik, duke paralajmëruar: “Ne do të shihemi shumë shpejt nga një dritare shumë e madhe.”.
