Strategjia e re amerikane për Ballkanin/ Gashi: Do të ketë bazë ushtarake amerikane në jug të Shqipërisë
Administrata amerikane i ka paraqitur Kongresit një raport për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet mbështetja për Kosovën dhe NATO-n, investimet në energji dhe zhvillimin e korridoreve strategjike, përfshirë Korridorin VIII, si dhe intensifikimi i luftës ndaj grupeve kriminale ballkanike që konsiderohen rrezik për sigurinë ndërkombëtare.
Eksperti i sigurisë Milazim Gashi, në një analizë për “MCN Live”, vlerëson se zhvillimet globale dhe përshkallëzimet e konflikteve në Lindjen e Mesme mund të rrisin angazhimin ushtarak dhe strategjik të Shteteve të Bashkuara në rajon.
Sipas tij, Shqipëria, për shkak të pozicionit gjeostrategjik në Ballkanin Perëndimor, mund të shndërrohet në një nyje të rëndësishme të pranisë ushtarake amerikane, përfshirë mundësinë e ngritjes së një baze në jug të vendit.
Shqipëria ka një pozicion shumë të rëndësishëm gjeografik në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, SHBA mund të shqyrtojë vendosjen e një baze ushtarake në jug të Shqipërisë, si pjesë e rritjes së pranisë së saj strategjike në rajon.
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, përfshirë tensionet me Iranin, po ndikojnë në rikonfigurimin e balancave të sigurisë ndërkombëtare dhe në rritjen e rolit të NATO-s dhe SHBA-së në rajonet kyçe.
Sipas tij, Shqipëria mund të luajë rol të rëndësishëm në sistemet e mbrojtjes dhe në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit dhe më gjerë.
Ne mund të përballemi me një realitet të ri sigurie, ku prania ushtarake amerikane dhe e NATO-s në rajon do të rritet, duke forcuar stabilitetin dhe perimetrin e sigurisë në Evropë.
Andaj Shqipëria si qendër e Ballkanit, si nyje qe prek një pjese të nyjës se Lindjes se Mesme, do të ketë mobilizim dhe pozicionim të sistemit të mbrojtjes reaktorë për një pjese të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës.
Ne do të kemi përfundimisht një bazë të fortë amerikane në Shqipëri dhe orientimi i forcës amerikane dhe NATO-s do e rrit sigurinë globale sa i përket perimetrit te sigurisë ku gjendemi si banor.
