Mourinho dëshiron yllin e Man City-t te Real Madridi

Jose Mourinho raportohet se ka identifikuar mesfushorin e Manchester City-t, Rodri, si objektivin kryesor për të forcuar Real Madrid në prag të një revolucioni të mundshëm në “Santiago Bernabeu”.

Sipas mediave angleze dhe spanjolle, Mourinho shihet si kandidati kryesor për t’u rikthyer në stolin madrilen, ndërsa drejtuesit e klubit po planifikojnë ndryshime të mëdha në skuadër.

Trajneri portugez besohet se e konsideron Rodri-n si lojtarin ideal për të rikthyer stabilitetin dhe balancën në mesfushën e Real Madridit, pas largimit të veteranëve dhe problemeve të vazhdueshme në repartin qendror.

29-vjeçari spanjoll mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të City-t dhe një nga mesfushorët defensivë më të mirë në botë, por e ardhmja e tij është vënë në pikëpyetje mes spekulimeve për largimin e Pep Guardiola nga klubi anglez.

Raportet sugjerojnë se Rodri është i hapur për një rikthim në Spanjë, ndërsa Mourinho dëshiron ta ndërtojë projektin e ri të Real Madridit rreth eksperiencës dhe lidershipit të tij.

Ndërkohë, te Real Madridi priten ndryshime të shumta në skuadër gjatë verës, me Mourinhon që raportohet se ka kërkuar përforcime në disa pozita kyçe për ta rikthyer klubin në garë për trofe në Ligën e Kampionëve dhe në La Liga.


Go to TOP