As karroca s’ia lëkundi besimin në Zot – historia prekëse e Haxhi Adnan Sejdiut
Jeta nuk është e lehtë… në çdo hap të saj ka sprova, dhimbje, por edhe dritë shprese. Në rrugëtimin tonë, përballemi me të mirën dhe të keqen, me rënie dhe ngritje që na formojnë si njerëz. Por asnjëherë mos u dorëzoni.
Brenda çdo njeriu ekziston një forcë e fshehur, një vullnet që mund t’i mposhtë të gjitha vështirësitë, nëse zgjohet. Merrni shembull dhe jepni vetes forcë, sikur Haxhi Adnan Sejdiu.
“Rinia jem katastrofë. Kom shoqni, po unë jam pa shkollë. Pa shkollë, po Kuranin e di përmendësh”, shprehet Haxhi Adnani.
Në moshën dyvjeçare ai dërgohet për dy vite në shërim në Beograd.
“Nana me babën e nonës edhe shkum atje, kemi nejt nja dy vjet. Kur jom ardhë në Kosovë nuk disha shqip, veç serbisht. Për shërim shkum, po nuk u bo. Kur don Allahu, e bon!”.
Në shkollë nuk e pranuan, sepse paragjykimet për gjendjen e tij ishin të mëdha, si në rreth ashtu edhe në familje.
“E qishtu rinia jem! Masi jemi gjallë, deri qitu mirë! Nuk më pranojke kërkush! Vallai ky nuk bon, ky me kolicë e… po edhe baba jem!”, shpjegon Adnani.
Por edhe pse nuk di shkrim-lexim, ai e di Kuranin përmendësh dhe ka një mesazh për rininë tonë: “Ma së pari shkolla, tani xhamia, tani kisha. Pa shkollë nuk ka. Se pa shkollë veç unë jam… pa shkollë nuk bon”, shprehet ai.
Haxhi Adnani ka 26 vite që kryen të gjitha ritet islame duke u ndier i përmbushur.
“Kur hin njeri në xhami, hapet zemra! Për shembull njeri pa namaz, zemra gur, e namazi është ujë i zemrës. 5 vakte, 4 vakte në xhami, verë e dimër 4 vakte në xhami, e një vakt e kam te shtëpia. Se ka thonë Muhamedi a.s., një vakt me fal te shtëpia, mos mi bo shtëpitë varre. Se te varret nuk munesh me u fal”, shprehet ai.
Në prag të festës së Bajramit, emisioni “Krejt Kapak” me Milotin sjell rrëfimin e jetës së tij personale dhe shpirtërore, një histori që prek zemrën dhe kujton se besimi dhe durimi e mbajnë njeriun gjallë në çdo sfidë.
