Turnir në nder të Dëshmorëve në Studençan, Kuçi takon mërgatën në Treviso: Bashkë për Kosovën

Në Studençan është mbajtur sot turniri tradicional në futboll, kushtuar Dëshmorëve të Kombit duke mbledhur të rinj, familjarë dhe sportdashës në një atmosferë sportive dhe përkujtimore. Në vendin e njohur për finale të mëdha në futboll, por edhe për sakrifica në luftën për liri, pjesëmarrësit ndoqën finalen e turnirit duke nderuar njëkohësisht me respekt të thellë ata që dhanë jetën për atdheun.

Organizatorët theksuan se aktivitete të tilla janë dëshmi se kujtesa për Dëshmorët mbetet gjithmonë e gjallë dhe se brezat e rinj vazhdojnë ta kultivojnë respektin për historinë dhe lirinë e vendit.

Ndërkohë, në një aktivitet të ndarë, kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Blerim Kuçi ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarë në Treviso të Italisë, ku është pritur ngrohtësisht nga mërgata shqiptare. Së bashku me Gëzim Hazrollin, ai ka diskutuar hapur për sfidat aktuale në Kosovë duke theksuar nevojën për stabilitet institucional, institucione funksionale dhe rritje të përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

Gjatë takimit, u vlerësua lart roli i diasporës shqiptare, jo vetëm për mbështetjen financiare ndaj familjeve në Kosovë, por edhe për kontributin në zhvillimin ekonomik, promovimin e produkteve vendore dhe sjelljen e përvojës profesionale nga jashtë.

Kuçi u shpreh se takime të tilla forcojnë besimin dhe dëshmojnë se, pavarësisht distancës, përkushtimi dhe dashuria për Kosovën mbeten të pandryshuara.

Në përfundim, ai falënderoi bashkatdhetarët në Treviso për pritjen dhe organizimin duke theksuar mesazhin e përbashkët: “Bashkë për Kosovën”. /Kosova.info/


Go to TOP