Në Shtërpcë nis peticioni kundër bllokimit të rrugëve dhe burimeve në Malin Sharr

Banorë të Shtërpcë kanë nisur grumbullimin e nënshkrimeve për të kundërshtuar bllokimin e rrugëve kryesore që çojnë drejt Malit Sharr, si dhe pengesat në burime të rëndësishme për jetesën në zonë.

Nisma është ndërmarrë nga Blerim Limani, i cili ka ngritur shqetësimin për bllokimin e dy rrugëve kryesore, kanaleve të ujitjes së tokave bujqësore, hapësirave për kullosa dhe burimit të ujit të njohur si “Kroni i Ftohtë”.

Sipas tij, këto hapësira ishin marrë më herët nga Zadruga “Millan Zeqari” gjatë regjimit serb, ndërsa tani, siç pretendon ai, janë bllokuar nga Ramadan Rrustemi në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe Agjencinë e Pylltarisë së Kosovës.

Limani u ka bërë thirrje banorëve të lagjeve Emërllahaj, Coklar, Brod, Elezaj, Gjonaj, Ogushaj, Rudaj dhe zonave përreth në Shtërpcë që të përkrahin këtë iniciativë duke nënshkruar peticionin për lirimin e këtyre hapësirave.

Ai ka theksuar se kjo nismë synon rikthimin e qasjes së lirë në rrugë, ujë dhe toka bujqësore, të cilat, sipas tij, janë jetike për komunitetin lokal. /Kosova.info/

Go to TOP