Nënshkruhet marrëveshja për sanimin e kanalit kryesor të ujitjes në Burim të Istogut
Në praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit për financimin e projektit “Sanimi i Kanalit Kryesor, Ana e Djathtë e Burimit në Istog me gjatësi L = 1,574 m”, ndërmjet Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja dhe Kryeshefit Ekzekutiv të KRU “Drini i Bardhë” Sh.A. Pejë, Izet Qelaj.
Ky investim synon rehabilitimin e njërit prej sistemeve kryesore të ujitjes në zonën e Istogut, me qëllim të rritjes së efikasitetit në furnizimin me ujë për tokat bujqësore dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe prodhimit vendor.
Me këtë rast, Ministri Muja theksoi se projekti përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë dhe menaxhimin më efikas të burimeve ujore në Komunën e Istogut.
“Përmes kësaj marrëveshje po krijojmë kushtet për realizimin e projektit për sanimin e Kanalit Kryesor në Burim të Istogut, një investim i domosdoshëm për fermerët e kësaj zone dhe për të gjithë përdoruesit që varen nga ky sistem i ujitjes”, ka thënë Ministri Muja.
Ai theksoi se kanali, i ndërtuar para më shumë se gjashtë dekadash, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme ndër vite, duke shkaktuar humbje të mëdha të ujit dhe vështirësi në furnizimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore.
Sipas Ministrit, përmes këtij projekti do të rehabilitohen mbi 1.5 kilometra të kanalit kryesor dhe do të vendoset një sistem modern që siguron shfrytëzim më efikas të ujit, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sipërfaqeve të ujitura, përmirësimin e rendimenteve bujqësore dhe zhvillimin e mëtejshëm të pemëtarisë, kopshtarisë, blegtorisë dhe aktiviteteve të tjera prodhuese në këtë zonë.
Ministri bëri të ditur se MBPZhR-ja do ta financojë në tërësi këtë investim në vlerë prej rreth 469 mijë euro, duke e cilësuar këtë si dëshmi të përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të investuar në infrastrukturën e ujitjes dhe për të mbështetur drejtpërdrejt fermerët dhe prodhuesit vendorë.
Ai falënderoi Kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sektorit të bujqësisë dhe projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonave rurale, si dhe KRU “Drini i Bardhë” për bashkëpunimin institucional dhe angazhimin në realizimin e projektit.
“Një falënderim të veçantë dua t’ia shpreh Kryeministrit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sektorit të bujqësisë. Falë përkushtimit të tij dhe mbështetjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, projektet që prekin drejtpërdrejt jetën e fermerëve dhe zhvillimin ekonomik të zonave rurale po gjejnë përkrahje të menjëhershme dhe po shndërrohen në investime konkrete në terren”, tha ministri Muja.
Marrëveshja parasheh që projekti të financohet 100% nga MBPZhR-ja, ndërsa KRU “Drini i Bardhë” do të jetë përgjegjëse për zbatimin e projektit, procedurat e prokurimit, mbikëqyrjen profesionale dhe mirëmbajtjen pas përfundimit të punimeve. Të gjitha punimet dhe procedurat financiare pritet të përfundojnë brenda vitit 2026. /Kosova.info/
