Abdixhiku: Qeveria po tenton të blejë vota me paratë e qytetarëve, Kosovës i duhet kapitull i ri

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja ka akuzuar qeverinë për përpjekje për blerje votash përmes paketave financiare të prezantuara së fundmi, duke i cilësuar ato si përpjekje të vonshme për të mbuluar, sipas tij, dështimet qeverisëse.

Në një reagim publik, Abdixhiku tha se gjatë qeverisjes janë përdorur “blerja e votave, propaganda, fyerjet, ofendimet dhe krijimi i krizave të njëpasnjëshme” si mjete për të ruajtur pushtetin, ndërsa shtoi se kanë munguar idetë, projektet dhe puna konkrete për qytetarët.

Ai vlerësoi se paketa e fundit nuk është masë kundër inflacionit, por një tentativë për të fituar mbështetje elektorale me paratë e vet qytetarëve.

“Populli i Kosovës nuk blihet. E ardhmja e tyre nuk është në shitje”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, vendit i duhet një kapitull i ri, ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag të zgjedhjeve dhe ku mirëqenia ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme shtetërore.

Abdixhiku theksoi se pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha dhe kujdesi për qytetarin duhet të jenë detyrim i shtetit dhe jo mjete për përfitime elektorale. Ai shtoi se Kosova nuk duhet të pranojë të mbetet në fund të Evropës për nga standardi i jetesës dhe zhvillimi ekonomik.

Go to TOP