Gërvalla: Askush mbi ligjin – reforma në drejtësi po riformëson shtetin
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka theksuar se nuk mund të ketë shtet të fortë pa një sistem të fortë drejtësie, gjatë një vizite në Prokuroria Themelore në Prizren.
Ajo u prit nga Kryeprokurori Petrit Kryeziu, me të cilin diskutoi për sfidat dhe përgjegjësitë në sistemin prokurorial, si dhe për nevojën e bashkëveprimit institucional për të garantuar efikasitet, profesionalizëm dhe rezultate konkrete.
Gërvalla theksoi se reforma në drejtësi nuk është çështje debati politik, por një proces shtetëror që synon të riformësojë themelet e sundimit të ligjit në Kosovo. Sipas saj, pakoja prej pesë ligjeve përbën bazën e këtij transformimi duke synuar forcimin e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Ajo përmendi gjithashtu rëndësinë e funksionalizimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe procesin e vetingut, si hapa kyç drejt një drejtësie që u shërben qytetarëve dhe jo interesave të ngushta.
“Nuk ka rrugë tjetër përveç forcimit të shtetit ligjor dhe garantimit të barazisë para ligjit për secilin. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, ka deklaruar Gërvalla. /Kosova.info/
